Lidhje

Lufta në Ukrainë nxit valën e migrimit të hebrenjve rusë drejt Izraelit


Lufta në Ukrainë nxit valën e emigrimit të hebrenjve rusë drejt Izraelit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

Sipas ligjeve izraelite, kushdo që ka një nga gjyshërit hebre mund emigrojë në Izrael dhe të marrë shtetësinë. Vendimi i Presidentit Vladimir Putin për mobilizimin e 300 mijë meshkujve për të luftuar në Ukrainë ka bërë që mijëra rusë të shpërngulen në Izrael, ndërsa mijëra të tjerë po ndërmarrin këtë rrugëtim.

Ilay Agaryshev-i dhe Olga Shpektorova kishin planifikuar prej gjashtë vitesh që të shpërnguleshin në Izrael me dy vajzat e tyre, madje po mësonin gjuhën hebraike në Moskë. Por agresioni rus në Ukrainë i bindi ata se kishte ardhur koha për t’u larguar.

Zëri i Amerikës bisedoi me çiftin rus të vëndosur në Izrael.

“Jam kundër luftës dhe nuk dua të marr pjesë në të. Të njohurit e mi u thirrën me detyrim dhe madje vdiqën duke luftuar”, thotë Ilay.

“Diskutuam për një kohë të gjatë për ardhjen, por situata në Rusi na dha vërtet një shtysë. Jemi pak të lodhur tani, por gati për çdo gjë që vjen më pas”, thotë Olga, nëna e dy vajzave të vogla.

Agjencia Hebraike, e cila kujdeset për migrimin dhe tërheqjen e emigrantëve të rinj në Izrael, thotë se më shumë se 30,000 rusë kanë shkuar aty, që kur Kremlini filloi agresionin në Ukrainë dhe se numri i aplikimeve është përshpejtuar pas njoftimit të Presidentit Putin për mobilizimin e 300 mijë rekrutëve në ushtrinë ruse.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Jonathan Dekel-Chen, profesor në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit.

“Kjo valë emigracioni është ndezur sigurisht nga urdhrat e Putinit dhe qeverisë së tij për të filluar rekrutimin e ushtarëve, disa mund të thonë rekrutim i detyruar, i rezervistëve dhe të tjerëve”.

Politikani izraelit Natan Sharansky, ish-disident sovjetik, që kaloi nëntë vite në burgjet bolshevike për shkak të përpjekjeve për të emigruar në Izrael, thotë se eksodi i rusëve me lidhje familjare hebraike është rezultat i sundimi autokratik të Presidentit Putin.

“Filloi që nga momenti që Putini vendosi disa kufizime në lirinë e shprehjes, në lirinë e organizatave, në lirinë e komunikimit me njerëzit e tjerë jashtë vendit dhe ndoshta më e rëndësishmja, lirinë e diskutimit të lirë dhe të shprehjes së pikëpamjeve të ndryshme. Kjo është diçka shumë e frikshme, sidomos për intelektualët”.

Shumë rusë po hulumtojnë prejardhjen e tyre në arkivat kombëtare ruse për të gjetur një gjysh hebre, çka do t'i kualifikonte ata për të emigruar në Izrael, sipas ligjit të atij vendi. Zoti Sharansky thotë se rreth 600,000 rusë kanë lidhje familjare hebraike.

XS
SM
MD
LG