Tanket ruse u futën në Kherson që në ditën e parë të luftës, shkurtin e kaluar. Marrja nën kontroll e rajonit këtë javë ishte një fitore e rëndësishme për forcat ukrainase. Por, sikurse njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Yelyzaveta Krotyk lufta gati nëntë mujore ka patur një ndikim shkatërrues në këtë rajon.
Fshati Luch, i vendosur në kufirin midis rajoneve Mykolaiv dhe Kherson, është bombardur nga forcat ruse që nga dita e parë e luftës.
"Ndodhemi në vijën e parë të frontit dhe ndaj kemi qenë objektiv i bombardimeve të rënda. Fillimisht ishte e frikshme, tani situata është qetësuar disi, por jo plotësisht", thotë Iryna.
Para 24 shkurtit, në jetonin fshat rreth 1,000 persona , tani kanë mbetur vetëm 38.
Iryna, një banore vendase, thotë se dy raketa ruse ranë vetëm disa hapa larg ndërtesës së saj. Ajo nuk mund të hyjë në apartamentin e saj sepse hyrja e ndërtesës është e mbushur me rrënoja, ndaj jeton në bodrum.
“Një herë, raketa goditi çatinë. Një herë tjetër ra në katin e pestë. Dëmtoi katin e pestë, të katërt dhe në fund ra në të tretin, në ballkon. Njerëzit thonë se nuk ka shpërthyer, por unë nuk e di. Mundohem të mos afrohem shumë. Jam e frikësuar."
Ky fshat është qëlluar me artileri nga pjesa e pushtuar nga rusët, e rajonit të Khersonit, pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës. Sot në fshat nuk ka asnjë ndërtesë të paprekur.
"Ështe e vështirë. Ne fshihemi vazhdimisht, nuk mund të kuptojmë se nga cila anë vijnë raketat. E patë se çfarë bënë… ? Një bombë tjetër ra këtu dy ditë më parë, mund t'ju tregoj. Dritaret janë të gjitha të thyera, ballkonet e shkatërruar, asgjë nuk ka mbetur! Ne kishim një fshat kaq të bukur, dhe tani nuk ka mbetur asgjë. Gjithçka është në rrënoja”, thotë Galyna.
Shkolla e fshatit ishte e para që u godit. Dhjetë raketa goditën ndërtesën, duke e shkatërruar atë.
“Kjo është shkolla jonë. Është shumë e trishtueshme që bota ruse na solli kaq shumë pikëllim. Këtu ka qenë palestra dikur. Kur goditën bombat e para, kishte vetëm topa të shpërndarë nëpër palestër”, thotë Yekaterina.
Qëkurse u çlirua rajoni Khersonit, njerëzit kanë filluar të kthehen në Luch. Vendasit po përpiqen të punojnë së bashku dhe të rindërtojnë sa munden. Ata po përgatiten gjithashtu për dimrin, duke riparuar çatitë dhe duke mbërthyer me gozhdë dërrasa mbi dritaret e thyera. Po bëjnë gjithçka munden për t’u mbrojtur nga i ftohti.