Lidhje

Qyteza amerikane i var shpresat tek energjia bërthamore


Qyteza amerikane i var shpresat tek energjia bërthamore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:46 0:00

Ndërsa vendet në mbarë botën po përpiqen të ulin nivelin e energjisë nga burimet fosile, një qytet i vogël amerikan do të ketë mundësi të transformohet pas ndërtimit aty të një centrali bërthamor. Kompania TerraPower synon të vendosë në qytetin Kemmerer, të shtetit Uajoming, një reaktor të avancuar me natrium, që nuk ftohet me ujë.

Qyteti Kemmerer në shtetin Uajoming është mbështetur tek qymyrguri për mbi një shekull. Deri rishtazi, ky qytet i vogël njihej vetëm për fosile peshqish 55 milionë vjeçare të zbuluara në guroret e tij.

Në nëntor, një kompani e mbështetur nga Bill Gates, “TerraPower”, njoftoi se kishte përzgjedhur këtë qytet për ndërtimin e një centrali bërthamor të pazakontë, që ftohet me natrium. Ky central bërthamor pritet të punësojë personat që do të humbasin vendet e punës me mbylljen e një termocentrali me qymyr në vitin 2025.

Vendasit shpresojnë që projekti i kompanisë TerraPower do të ndihmojë rreth 230 punonjësit e termocentralit dhe rreth 300 punonjësit e minierës që e furnizon atë me qymyrguri.

“Nuk di nëse do të kishte mbijetuar dot qyteti Kemmerer nëse do të humbisnim njëkohësisht termocentralin dhe minierën. Do të shndërrohej ndoshta në një qytet fantazmë”, thotë Crystal Bowen, punonjëse e termocentralit.

Drejtuesi i termocentralit thotë se kompania TerraPower është zotuar të trajnojë punëtorët që do të duan të kalojnë tek centrali bërthamor.

“Thanë se do të ketë një program dy vjeçar trajnimi për njerëzit që dëshirojnë të punojnë tek centrali bërthamor. Momenti është i favorshëm, megjithëse nuk janë qartësuar ende detajet. Por, do t’u jepet një shans pjesës më të madhe të njerëzve që do të duan të punojnë tek objekti i ri”, thotë Rodger Holt.

Megjithëse centrali bërthamor mendohet se mund të jetë funksional në vitin 2028, kryebashkiaku thotë se lajmi ka rritur që tani interesimin për pasuritë e patundshme dhe po i jep jetë të re qytetit.

“Jam absolutisht në favor të shpëtimit të mjedisit tonë. Nëse bëhemi pjesë e përpjekjeve për ta shpëtuar dhe përmirësuar mjedisin tonë, jam plotësisht pro kësaj. Ajo që po ndodh me centralin e natriumit do të jetë shpëtimi i komunitetit tonë”, thotë zoti Thek.

Energjia bërthamore po shfaqet si zgjidhja për të plotësuar boshllëkun energjitik, ndërkohë që vendet po pakësojnë përdorimin e qymyrgurit, naftës dhe gazit natyror për të zvogëluar ndotjen e atmosferës dhe për të shmangur disa nga efektet më të këqija të nxehjes së planetit.

“Presim pra një zgjerim masiv të energjisë nga era dhe dielli, dhe jemi në favor të kësaj. Por që ta plotësojmë këtë energji nga era dhe dielli, nëse do të mbyllim me kalimin e kohës shfrytëzimin e burimeve fosile, do të na nevojitet vërtet energjia bërthamore, si një burim pa ndotje dhe që furnizon 24 orë në ditë”, thotë Chris Levesque, drejtor ekzekutiv i kompanisë TerraPower.

Ai thotë se teknologjia e re me natrium është shumë më e sigurtë dhe se nuk mbështetet në burime të jashtme për ftohjen e reaktorit, pa patur nevojë për furnizim të vazhdueshëm me ujë. Por jo të gjithë janë dakort se kjo teknologji prodhon më pak ndotje.

Në fakt, energjia bërthamore prodhon materiale shumë radioaktive që janë kancerogjene, si dhe prodhon një volum mbetjesh që do të qëndrojnë në mjedis për qindra mijëra vite. Pra, është e vështirë ta quajmë energjinë bërthamore të pastër, duke u bazuar vetëm tek kriteri i çlirimit të dioksidit të karbonit. Mendoj se është një term i pavërtetë për energjinë bërthamore”, thotë Edwin Lyman, nga një shoqatë shkencëtarësh që monitoron projektet bërthamore.

Një tjetër disavantazh është se centrali bërthamor do të duhet të funksionojë me uranium të pasuruar në 20%, ose katër herë më shumë se në centralet e zakonshme bërthamore. Ky lloj materiali nuk prodhohet aktualisht në Shtetet e Bashkuara dhe do të duhej të merrej nga Rusia.

Projekti pritet të kushtojë rreth 4 miliardë dollarë dhe gjysma e këtyre fondeve do të jepen nga Departamenti i Energjisë.

XS
SM
MD
LG