Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohen të hënën në mëngjes në Bruksel, konfirmuan veçmas të dyja palët.
Takimi është një përpjekje të re e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell duke paralajmëruar takimin tha se duhet ulur tensionet dhe “të ndalojmë së shkojmë nëpër menaxhimin e përhershëm të krizave dhe në vend të kësaj të fillojmë të ecim drejt normalizimit të marrëdhënieve”.
Takimi ndodh në ditën kur ishte paraparë të fillojë faza e dytë e zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia që duhet të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm.
Nga e hëna sipas vendimit pritej të fillojë gjobitja e atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave. Vendimi kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veriun e Kosovës të cilët kanë paralajmëruar rezistencë ndaj zbatimit të tij.
Të dielën pasdite policia e Kosovës tha se edhe nesër do të vazhdojë me paralajmërimet ndërsa nga e marta 22 nëntor do të fillojë shqiptimi i gjobave.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur shpresën për një zgjidhje praktike të çështjes së targave për të shmangur tensionet në veri ku nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb e as punonjës të institucioneve tjera, pas vendimit të përfaqësuesve serbë të mbështetur nga Beogradi për të braktisur institucionet e Kosovës në veri.
Presidenti serb Vuçiç tha të dielën se nuk pret ndonjë zhvillim pozitiv nga takimi por do të shkojnë në Bruksel për të mos dhënë shkas që Serbia të akuzohet për mospjesëmarrje, ndërsa ritheksoi kërkesat e Beogradit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimin e vendimit për targat e makinave.
Qeveria e Kosovës konfirmoi se kryeministri Kurti është nisur për në Bruksel por nuk tha se cilat janë pritjet e saj nga takimi i së hënës.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar situatën në veriun e Kosovës më të rrezikshmen që nga viti 2013, ndërsa janë shtuar patrullimet e forcave të policisë së Misionit të EULEX-it.
“Ne jemi këtu për të mbështetur mandatin e misionit të EULEX-it, që do të thotë të ndihmojmë të gjitha autoritetet dhe popullin e Kosovës për të përmirësuar gjendjen aktuale, e cila mbetet e ndjeshme, veçanërisht në veri", tha komandanti i kontingjentit italian në kuadër të EULEX-it, Mariano Bastaza.
Rreth 130 oficerë nga Polonia dhe Italia janë vendosur në veri për të mbështetur dhe këshilluar policinë e Kosovës në rrethanat e një boshllëku në zonë të krijuar me largimin e policëve lokal serbë.
Tensionet ne zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se të dyja palët nuk e kanë refuzuar propozimin i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet në Kosovë thonë se propozimi është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërsa presidenti serb tha sot se Serbia as nuk e ka pranuar as nuk e ka kundërshtuar propozimin por është e gatshme për bisedime rreth tij.