Policia shqiptare arrestoi 32 vjeçarin Redon Skutera, si personi i dyshuar për dhunimin e gazetarit të Report tv, Adriatik Doçi për shkak të detyrës të dielën e kaluar pranë banesës së tij.
Forcat e rendit arritën brenda gjashtë ditësh të identifikojnë dhe të arrestojnë autorin e sulmit ndaj gazetarit investigative, Redon Skutera, duke e vendosur nën akuzën “goditje për shkak të detyrës”.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e ngjarjes, ku dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Gazetari Doçi publikoi edhe takimin me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, e cila i kishte shprehur mbështetjen e saj.
Gazetari Adriatik Doçi është i njohur për shkrimet investigative në Report Tv dhe Shqiptarja.com.
Të dielën e kaluar një grup personash e kanë ndjekur dhe një prej tyre e ka goditur pas shpine me grushta dhe sende të forta në afërsi të banesës së tij, ngjarje që u hetua me shpejtësi nga policia dhe hetuesit.
Gazetari Doçi ka deklaruar se beson që sulmi ndaj tij ka ndodhur për shkak të detyrës dhe se sulmi mund të jetë nxitur nga segmente të krimit dhe korrupsionit, për të cilët ai shkruan.
Ai shtoi se edhe më herët ka patur kërcënime verbale, për shkak të detyrës, por jo dhunë fizike.
Dy vjet më parë komisioni parlamentar për sigurinë zhvilloi një seancë dëgjimore me gazetarin investigativ Adriatik Doçi, i cili kishte publikuar disa shkrime që vinin në dyshim saktësinë ligjore të disa dekreteve për dhënien e shtetësisë shqiptare nga ish presidenti i Republikës Ilir Meta.
Zoti Meta i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se të gjithë veprimet e tij në këtë fushë janë në përputhje me ligjin.
Gazetari Doçi ka publikuar dhjetëra shkrime denoncuese për ngjarje të dyshuara korrupsioni dhe afera për shkelje ligjore nga qeveria Berisha, mes të cilave investigimi mbi ish kompleksin sportiv Partizani, si dhe afera korruptive nga gjyqtarë dhe prokurorë.