Vendimi i Katarit për të marrë pjesë në garën për organizimin e Kupës së Botës 2022 në futboll shkaktoi habi që në fillim. Pse, shtruan disa pyetjen, një mbretëri e Lindjes së Mesme me më pak se 3 milionë banorë dhe pak traditë në futboll dëshironte të organizonte ngjarjen më të madhe sportive?
Kritikët thonë se ky vend, prodhues i madh nafte, dëshiron të përdorë prestigjin e Kupës së Botës, e cila fillon të dielën, për të përmirësuar imazhin e një vendi që është kritikuar për gjendjen e të drejtave të njeriut.
Po ashtu ata e shohin këtë organizim që do t’i kushtojë Katarit rreth 220 miliardë dollarë, si një rast klasik të shfrytëzimit të sportit për të përmirësuar imazhin.
Ky nuk është një koncept i ri dhe paratë e naftës në Lindjen e Mesme prej kohësh përdoren për të ushtruar ndikim. Ndërsa disa mendojnë që ky është një rast i vendeve të pasura që shpenzojnë para për t'u bashkuar me elitën globale, të tjerë shohin përpjekje keqdashëse për të fshehur reputacionin e padëshiruar.
“Kupa e Botës së Katarit i hapi rrugën diskutimit rreth shfrytëzimit të sportit për të përmirësuar imazhin e vendit dhe të drejtave të njeriut, një mësim i vështirë për të gjithë ne”, tha presidentja e Federatës së Futbollit të Norvegjisë Lise Klaveness ndërsa merrte pjesë në një takim të Këshillit të Evropës.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë shprehu gjithashtu shqetësim për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive në Katar.
“Ka kritere që duhen respektuar dhe kështu do të ishte më mirë të mos u jepej kjo e drejtë shteteve të tilla”, tha muajin e kaluar ministrja Nancy Faeser, një deklaratë kjo që nxiti tensione diplomatike.
Udhëheqësi i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ka kundërshtuar, duke thënë se vendi “i është nënshtruar një fushate të paprecedentë me të cilin asnjë vend tjetër organizator nuk është përballur ndonjëherë”.
Kupa e Botës është vetëm një mënyrë se si Katari po përdor pasurinë e tij të madhe për të krijuar mundësi ndikimi. Duke blerë ekipe sportive, duke organizuar ngjarje të profilit të lartë dhe duke investuar miliarda në kryeqytetet evropiane siç është blerja e rrokaqiellit “Shard” të Londrës, Katari është integruar në financat ndërkombëtare dhe ka krijuar një rrjet mbështetjeje.
Ekipi i futbollit “Paris-Saint Germain” (PSG) i ligës franceze është në pronësi të emirit të Katarit. Blerja e tij në vitin 2011 u bë një vit pasi Katari fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës. Për shumë njerëz, dukej sikur kjo u bë për të treguar se vendi ka futboll të mirëfilltë. Disa nga lojtarët e PSG-së janë ndër më të famshmit në botë, Neymar, Kylian Mbappé dhe Lionel Messi. Të gjithë këta lojtarë do të jenë të pranishëm në Kupën e Botës.
Amerikani Christian Pulisic është në ekipin e ligës kryesore angleze (Premier League), “Chelsea”, i cili ishte në pronësi të oligarkut rus, Roman Abramovich.
Roman Abramovich u vlerësua si shpëtimtari i atij ekipi gjatë 19 viteve sa e kishte ekipin nën kontrollit e tij. Por, ai e nxori atë në shitje këtë vit për shkak të sanksioneve që lidhen me agresionin në Ukrainë nga vendi i tij, Rusia.
Liga e re në golf “LIV” financohet nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite, i cili e ka në pronësi një ekip tjetër të ligës angleze, “Newcastle”, ndërsa kampioni aktual anglez “Manchester City” është në pronësi të Abu Dhabit.
Disa nga lojtarët më të mirë të këtyre ekipeve, përfshirë Kevin de Bruyne, Kieran Trippier dhe Bruno Guimarães, do të luajnë për Belgjikën, Anglinë dhe Brazilin në Kampionatin Botëror.
Asnjë nga këta lojtarë, apo pronarët e ekipeve nuk u përballen me akuza siç ndodhi me ata në golf që u larguan nga liga tradicionale “PGA Tour” për të luajtur për “LIV”.
Sipas CIA-s, gazetari Jamal Khashoggi u vra me urdhër të princit saudit të kurorës Mohammed Bin Salman në vitin 2018. Përfshirja e Fondit të Investimeve Publike Saudite në golf u prit si një rrufe ndërsa një kampion golfi tha atë që shumë njerëz e mendonin.
“Ata janë të frikshëm”, tha Phil Mickelson që është shpallur gjashtë herë kampion i golfit gjatë bisedës me gazetarin Alan Shipnuck, nga “FirePit Collective”.
Familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit u bënë kritikë të zëshëm të ligës së re të golfit “LIV”, duke vënë në dukje të dhënat negative rreth të drejtave të njeriut dhe lidhjen e Arabisë Saudite me sulmet terroriste të vitit 2001.
“Kur një kompani dëshiron të jetë sponsori zyrtar i një ekipi ose një lige, ajo që ata po përpiqen të bëjnë është të krijojnë një mundësi për të përmirësuar imazhin e kompanisë dhe t'i bëjnë tifozët e sportit që ta shohin atë kompani jo vetëm si prodhues i asaj që ajo kompani shet”, tha Stephen Ross, drejtor ekzekutiv i Qendrës “Penn State” për Studimin e Sporteve në Shoqëri.
Udhëheqësi rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, shfrytëzuan Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin për të mbajtur një samit dhe për të treguar solidaritet gjatë këtë viti.
Në ato lojëra, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach u shfaq në audiencë me tenisten kineze Peng Shuai duke e parë Eileen Gu, skiatoren në stilin e lirë që garonte për Kinën, duke fituar medaljen e saj të parë të artë. Dalja publike e tenistes Peng u bë pasi siguria e saj ishte vënë në pikëpyetje prej muajsh pas paraqitjes së saj në rrjetet sociale duke e akuzuar një ish-zyrtar të lartë kinez për sulm seksual.
Njerëzit u habitën kur u njoftua se Lojërat Dimërore Aziatike për vitin 2029 do të mbahen në Arabinë Saudite, një vend territori i së cilës është kryesisht shkretëtirë. Arabia Saudite tani po shpenzon rreth 500 miliardë dollarë për të ndërtuar një vendpushim dimëror që pretendon se do të jetë i qëndrueshëm për mjedisin. Sauditët kanë mbajtur prej kohësh gara të golfit, tenisit dhe “Formula 1” në vendin e tyre, pavarësisht se kanë pak traditë në ato sporte.
Katari, i cili renditet i 19-ti në eksportet e naftës dhe gjithashtu ndan fushën më të madhe nënujore të gazit natyror në botë me Iranin, dëshiron të përfshihet në aktivitete të njëjta.
Vendi ofroi udhëtime falas për në Kupën e Botës për qindra tifozë në këmbim të promovimit të përmbajtjes pozitive në rrjete sociale për ngjarjen dhe Katarin si vend.
Me afrimin e Kupës së Botës, akuzat për të drejtat e njeriut dhe korrupsionin janë shfaqur si tema kryesore dhe duket se do të mbeten të tilla deri në dhënien e trofeut të kampionatit më 18 dhjetor.
Përgjigja nëse kjo është e drejtë varet nga kush pyetet.
Greg Norman, drejtuesi i ligës së re të golfit, “LIV” gjatë verës, ndërsa intervistohej në emisionin e Tucker Carlsonit në televizionin konservator amerikan, “Fox News” tha se Aramco, kompania shtetërore e naftës në Arabinë Saudite, sponsorizon aktivitetet sportive evropiane të grave, por ai turne kritikohet shumë pak.
“Asnjë fjalë nuk është thënë për ta”, tha zoti Norman.
“Por pse thuhen gjithë ato fjalë për ekipet e meshkujve ? Çfarë kemi bërë gabim?”