Raketa të shumta ruse goditën të martën qytetet ukrainase, pas tërheqjes së forcave ruse nga Khersoni dhe ndërsa pati tregues në rritje se ato po vazhdonin tërheqjen edhe përtej Lumit Dnipro në jug.
Sirenat e alarmit për sulmet ajrore dhe shpërthimet u dëgjuan në rreth 12 qytete kryesore. Ukraina tha se kjo ishte vala më e madhe e sulmit me raketa gjatë nëntë muajve të luftës, në formë ndëshkimi nga larg frontit pas humbjeve të pësuara në fushëbetejë nga forcat ruse.
Në Bali të Indonezisë, në takimin e udhëheqësve të 20 vendeve më të industrializuara të botës, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, dënoi sulmet ruse.
“Ndërsa udhëheqësit e G-20ës takohen në Bali për të diskutuar çështje me rëndësi për jetët dhe mirëqenien e njerëzve në mbarë botën, Rusia sërish i kërcënon këto jetë dhe shkatërron infrastrukturën jetike të Ukrainës. Këto sulme ruse do të shërbejnë vetëm për të thelluar shqetësimet në G-20 për pasojat destabilizuese të luftës së Putinit”, u shpreh zoti Sullivan në një deklaratë. “Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për sa kohë që do të nevojitet”.
Një zëdhënës i forcave ajrore ukrainase tha se Rusia kishte lëshuar rreth 100 raketa drejt Ukrainës në orët e para të mbrëmjes, më shumë se në 10 tetor që njihej deri më tani si dita e sulmit me raketat më të shumta.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se objektivi kryesor i goditjeve me raketa ishte, ashtu si më parë, infrastruktura energjetike.
“Është e qartë se çfarë dëshiron armiku. Nuk do t’ja arrijë”, tha ai në një fjalim të transmetuar me video në aplikacionin e mesazheve Telegram. Kievi ka thënë se sulmet e tilla vetëm sa rrisin vendosmërinë për të zmbrapsur forcat pushtuese ruse.
Në Kiev, flakët dilnin nga një bllok apartamentesh me pesë kate, një ndër dy godinat e banimit që autoritetet thanë se ishin goditur në kryeqytet. Gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters që mbërritën në vendndodhje panë banorët të zënë nën rrënojat në flakë. Kryebashkiaku tha se një person ishte konfirmuar se ka humbur jetën dhe se gjysma e kryeqytetit ka mbetur pa elektricitet.
BUNKERËT E BRAKTISUR
Sulmet në zona të shumta u bënë katër ditë pasi forcat ruse braktisën qytetin Kherson në jug, e vetmja qendër rajonale që Moska kishte kapur që nga fillimi i sulmit, gjashtë javë pasi Presidenti Vladimir Putin e shpalli pjesë të përjetshme të Rusisë.
Rusia kishte njoftuar javën e kaluar se forcat e saj do të mbanin pozicione që ishin më të lehta për t’u mbrojtur, në bregun tjetër të Lumit Dnipro. Por, pamjet e filmuara në qytetin Oleshky, në anën përtej një ure të shkatërruar drejt Khersonit, duket se tregojnë që forcat ruse kanë braktisur edhe atje bunkerët e tyre.
Më tej në lindje, zyrtarët e emëruar nga Rusia thanë se po tërheqin punonjësit civilë nga qyteti i dytë më i madh i rajonit, Nova Kakhovka, i gjendur pranë bregut të lumit dhe një dige strategjike gjigande.
Një zëdhënëse e ushtrisë ukrainase, Natalya Humenyuk, tha se Moska duket se po ripozicionon forcat dhe artilerinë 15-20 km larg lumit Dnipro, për të mbrojtur armatimin nga kundërofensiva ukrainase.
Forcat ruse ende disponojnë artileri me kapacitetin për të goditur Khersonin nga pozicionet e reja, por “edhe ne kemi me çfarë t’iu përgjigjemi”, tha zëdhënësja ukrainase.
PA ASNJË PUSHIM
Një ditë pasi vizitoi Khersonin për të festuar atje fitoren, zoti Zelenskiy u tha udhëheqësve botërorë se nuk do të kishte pushim në fushatën e Ukrainës për të larguar nga vendi forcat ruse.
“Nuk do t’i mundësojmë Rusisë që të presë, të ringrejë forcat, dhe të pastaj të fillojë një seri të re terrori dhe destabilizimi global”, tha ai në një fjalim të regjistruar me video për takimin e vendeve të G20-tës në Indonezi.
“Jam i bindur se tani është koha kur lufta shkatërrimtare e Rusisë duhet dhe mund të ndalohet”, shtoi ai.
Sulmet ajrore të së martës ndjekin modelin që Rusia ka ruajtur që nga mesi i tetorit, me sulme me raketa me rreze të gjatë dhe dronë ndaj qyteteve ukrainase, pas humbjeve në fushëbetejë. Moska ka thënë se po godet infrastrukturën energjetike.
“Rusia i përgjigjet fjalimit të fuqishëm të Zelenskiy-t në G20 me një sulm të ri me raketa. A mendon njeri seriozisht se Kremlini dëshiron vërtet paqe? Kërkon nënshtrimin. Por në fund të ditës, terroristët gjithnjë humbasin”, shkruajti në Twitter shefi i kabinetit të Presidentit Zelenskyi, Andriy Yermak.
RRUGËT BOSH
Përpara se të largoheshin nga Khersoni javën e kaluar, Rusia njoftoi se po i zhvendoste forcat në bregun përballë të lumit Dnipro për të mbrojtur më mirë territorin, përfshirë rrugët drejt gadishullit strategjik Krime, që Rusia e ka marrë që në vitin 2014.
Por në filmimet në Oleshky, në bregun e lumit përballë qytetit Kherson dhe në autostradën kryesore që mundëson mbërritjen për dy orë në Krime, nuk ka asnjë shenjë të pranisë së forcave ruse.
Një shofer i jep makinës me shpejtësi për kilometra të tëra përgjatë rrugës së braktisur, pa hasur në asnjë postbllok apo flamur rus. Disa bunkerë të ngritur përgjatë rrugës duket se janë evakuar. Vendi i xhirimit u konfirmua nga agjencia e lajmeve Reuters, bazuar në vendndodhjet e dukshme.
Në Nova Kakhovka, zyrtarët e emëruar nga Rusia thanë të martën se punonjësit civilë ishin larguar për t’i shpëtuar goditjeve me artileri, “dhe janë zhvendosur në zona të sigurta në rajon”.
Nuk pati raportime të konfirmuara që forcat ukrainase të kenë kaluar lumin për të ndjekur forcat ruse. Por, disa analistë thanë se Ukraina mund të përpiqet të vazhdojë me avantazhin e arritur në fushëbetejë, dhe mund të mos bëjë një pauzë operacionale pas përparimeve të ditëve të fundit.
“Ukraina ka iniciativën dhe momentin, dhe po ia dikton rusëve se ku dhe kur do të bëhet luftimi i radhës”, tha Philip Ingram, ish-zyrtar i lartë i zbulimit ushtarak britanik.
Rusia është përfshirë tashmë në një operacion mbrojtjeje në Ukrainë, pas tërheqjes nga Khersoni, tha një zyrtar perëndimor të martën, duke folur në kushte anonimiteti.
Lufta ishte në qendër të vëmendjes në takimin e G20-ës, ku udhëheqësit perëndimorë kritikuan Moskën. Rusia është anëtare e këtij grupi, por jo Ukraina. Presidenti rus Putin nuk mori pjesë.
Në fjalën e tij, zoti Zelenskiy përsëriti kërkesat e hershme që Rusia të tërheqë forcat e saj, të lirojë të burgosurit dhe të riafirmojë integritetin territorial të Ukrainës, në këmbim të paqes.
Ai propozoi zgjerimin pa afat të programit për ruajtjen e eksporteve të drithit ukrainas për të ndihmuar në furnizimin e vendeve të varfëra, si dhe për ta zgjeruar programin edhe me portin e Mykolaivit, ku nuk arrin dot më të godasë artileria ruse, pas largimit nga Khersoni.
Vendet perëndimore po përpiqen që takimi të dënojë luftën, megjithë kundërshtimin e Rusisë dhe mungesën e unanimitetit. Diplomatët qarkulluan një propozim prej 16 faqesh ku thuhet se “shumica e vendeve anëtare dënojnë me forcë luftën në Ukrainë dhe theksojnë se po shkakton vuajtje të mëdha njerëzore dhe po rëndon më tej dobësitë e tanishme në ekonominë globale”.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili kryesoi delegacionin rus në mungesë të Presidentit Putin, akuzoi Perëndimin se po përpiqet të politizojë deklaratën e takimit.