Lidhje

Tensionet mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut


Marrëdhëniet mes dy Koreve janë në pikën më kritike ndër vite ndërkohë që Pheniani lëshoi një numër rekord raketash dhe Seuli shtoi stërvitjet ushtarake. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, shkoi në një ishull pranë Koresë së Veriut dhe bisedoi me banorët jugkoreanë të cilët druhen nga rikthimi i armiqësive.

Kim Bu-jeon ka 97 vjet që jeton në ishullin Yeonpyeong, por ajo ende nuk është mësuar me shpërthimet nga stërvitjet ushtarake aty pranë që herë pas here trondisin shtëpinë e saj. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, e moshuara shpreh shqetësimin lidhur me veprimtarinë ushtarake në të dy anët.

“Përse ushtria jonë qëllon me armë? Jam e shqetësuar kur ne përdorim armë dhe kur Koreja e Veriut përdor armë. Jam e shqetësuar për gjithçka”.

Shqetësimi është thelluar mes banorëve të ishullit. Muajin e kaluar, në ujërat aty pranë, ushtritë e të dy vendeve shkëmbyen të shtëna paralajmëruese. Anijet e marinës jug-koreane patrullojnë përgjatë bregut.

Banorët e ishullit i thanë Zërit të Amerikës se kohët e fundit janë shtuar shpërthimet.

“Kush nuk do të shqetësohej? Dëgjojmë shpërthime kudo”, thotë një banor.

Pjesa më e madhe e këtij ishulli është zonë ushtarake. Arsyeja është sepse Koreja e Veriut është shumë pranë, në këtë rast vetëm 5 kilometra nga kamera e Zërit të Amerikës.

Në një ditë të kthjellët shteti përkarshi mund të vërehet lehtësisht. Në këtë zonë të rrezikshme, peshkimi është i vështirë, sidomos tani. Peshkarexhat duhet të largohen menjëherë pasi koreano-veriotët fillojnë të shtënat.

Banorët thonë se kjo ka ndodhur pesë herë këtë vit, çka ka dëmtuar peshkatarët që sigurojnë jetesën nga deti.

“Nuk jam i sigurt për ata që jetojnë në Korenë Jugore kontinentale, por dëmi për ne peshkatarët në zonat ushtarake është mjaft i madh”, thotë një peshkatar.

Në këtë ishull nuk rrezikohet vetëm mënyra e jetës së banorëve. Shumë prej tyre kanë frikë për sigurinë.

Në vitin 2010, Koreja e Veriut goditi ishullin me 170 predha artilerie, duke vrarë katër persona, përfshirë dy civilë.

Në këtë vend u vra një marins i Koresë së Jugut, shenja e fundit e dukshme e sulmit nga Pheniani. Banorët i thanë Zërit të Amerikës se për dekada me radhë ata jetojnë përballë rrezikut.

“Unë jam e moshuar dhe po më vjen momenti. Por ajo që më shqetëson janë fëmijët e mi”, thotë një e moshuar.

Për banorët në vijën e parë të konfliktit të vjetër, tensionet duken se kanë arritur në pikën më të lartë.

XS
SM
MD
LG