Kontrolli i Kongresit vazhdon të jetë ende i pavendosur, ndërsa numërimi i votave vazhdon në disa gara kyçe për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve në të gjithë vendin. Me dështimin e disa fitoreve të pritshme të republikanëve, demokratët ende mund të mbajnë pushtetin në një prej dhomave të Kongresit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, njofton se çfarë do të ndodhë më pas nëse asnjëra palë nuk ka një shumicë komanduese.
Presidenti amerikan Joe Biden ende nuk e di nëse do të punojë me një Kongres të kontrolluar nga demokratët për dy vitet e ardhshme, por ai tashmë po pretendon fitoren.
“Ndërsa shtypi dhe ekspertët parashikuan një valë gjigante të kuqe, kjo nuk ndodhi”.
Historikisht, presidentët amerikanë kanë parë humbje të mëdha për partinë e tyre në zgjedhjet që zhvillohen në mes të mandatit të tyre.
Por demokratët fituan gara të vështira për rizgjedhje në shtete si Virxhinia, në periferi të Uashingtonit, duke i penguar republikanët të sigurojnë një shumicë të konsiderueshme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ligjvënësi republikan Kevin McCarthy pritet të jetë kryetari i ardhshëm i Dhomës.
"Republikanët do të punojnë me këdo që është i gatshëm të bashkohet me ne për të ofruar këtë drejtim të ri që amerikanët kanë kërkuar".
Por analistët thonë se axhenda e tij do të kufizohet duke menaxhuar anëtarët e Kongresit të mbështetur nga Trumpi.
“Do të jetë shumë e vështirë për Kevin McCarthy-n të jetë në gjendje të ruajë kohezionin, sepse, republikanët, mesa duket do të kryesojnë me një shumicë e vogël, njëshifrore. Kjo kërkon shumë aftësi për të qenë në gjendje ta mbajë atë grup të bashkuar”, thotë Garrett Martin në Universitetin Amerikan.
Pati gjithashtu rezultate të ngushta të papritura për Senatin në mbarë vendin, duke përfshirë një fitore të rëndësishme në shtetin verilindor të Pensilvanisë ... John Fetterman mposhti kandidatin republikan Dr. Mehmet Oz për të mbajtur gjallë mundësinë e një shumice demokrate në Senat.
“Mbrojtja e së drejtës së grave për abortin, rritja e pagës minimale, e drejta e sindikatave. Kujdesi shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut”, tha senatori i zgjedhur John Fetterman.
Analistët thonë se këto prioritete do të jenë të vështira për t'u miratuar nëse demokratët do të kenë vetëm një votë më shumë nga nënpresidentja Kamala Harris në Senat.
“Shqetësimi është se disa nga çështjet që njerëzit u besuan këtyre kandidatëve dhe për çfarë ata po konkurronin, nuk do të reflektohen në të vërtetë në punën e tyre të përditshme”, thotë Amy Dacey në Universitetin Amerikan.
Për herë të dytë në dy vjet, votuesit e Xhorxhias mund të vendosin potencialisht kontrollin e Senatit në një balotazh mess senatorit demokrat Raphael Warnock dhe kandidatit republikan Herschel Walker. Disa votues të Xhorxhias thonë se është e rëndësishme të mos i jepet një mandat asnjërës palë.
“Mendoj se duhet të kthehemi në qëndër. Kemi shkuar shumë majtas, shumë djathtas, drejt interesave të veçanta.”
Votuesit janë gjithashtu të vetëdijshëm për kostot e zhvendosjes së pushtetit nga një parti në tjetrën.
“Ndjehet sikur sapo marrim një drejtim vërtet të mire, përmbysim gjithçka dhe shkojmë në anën tjetër. Dhe kjo duket se ka ndodhur gjithmonë. Por kështu është – kjo është demokracia”, thotë Heather Packer, votuese në Xhorxhia.
Balanca përfundimtare e pushtetit mund të mos mësohet deri më 6 dhjetor, kur votuesit do të zgjedhin midis kandidatëve Warnock dhe Walker në Xhorxhia.