Votuesit në katër shtete votuan të martën në favor të propozimeve për mbrojtjen e qasjes ndaj abortit.
Përkrahësit e abortit fituan në shtetet e udhëhequra nga demokratët, Kaliforni dhe Vermont. Ndalimi pothuajse i plotë i abortit pësoi disfatë edhe në Kentaki, një shtet ku konservatorët i fitojnë zgjedhjet me lehtësi. Ligjet kundër abortit pësuan disfatë edhe në shtetin e Miçiganit ku as demokratët e as republikanët nuk e kanë të garantuar fitoren.
Në zgjedhjet e së martës amerikanët votuan për ligjvënësit, senatorët dhe në disa shtete u votua edhe për çështje të tjera si ajo e legalizimit të marijuanës.
Mirëpo, rezultati për çështjen e abortit po konsiderohet si reagim ndaj vendimit të qershorit të Gjykatës së Lartë për të eliminuar të drejtën mbarëkombëtare për abortin. Vendimi i qershorit ka çuar në ndalime pothuajse të plotë të abortit në një mori shtetesh që qeverisen nga republikanët.
Siç e kemi parë në Kansas nga votimi që u mbajt në fillim të këtij viti, dhe në shumë shtete të tjera në zgjedhjet e së martës, aborti nuk është çështje partiake”
"Siç e kemi parë në Kansas nga votimi që u mbajt në fillim të këtij viti, dhe në shumë shtete të tjera në zgjedhjet e së martës, aborti nuk është çështje partiake”, tha Nancy Northup, presidente e Qendrës për të Drejtat Riprodhuese.
“Kjo i ka nxitur njerëzit të merren me këtë çështje dhe ata nuk duan që politikanët të kontrollojnë trupat dhe të ardhmen e tyre”.
Grupet kundër abortit në Kentaki thanë se ishin të zhgënjyer nga rezultatet, por drejtori ekzekutiv i “Fondacionit për Familjen” vuri në dukje se ndalimet e abortit mbeten në fuqi dhe votuesit përsëri mbështetën kandidatët konservator për qeverinë shtetërore që janë kundër abortit.
Në nivel kombëtar, rreth dy të tretat e votuesve thonë se aborti duhet të jetë i ligjshëm në shumicën ose të gjitha rastet, sipas të dhënave të sondazhit të kryer nga agjencia e lajmeve“Associated Press”, i titulluar “VoteCast”. Sondazhi i kryer me mbi 90,000 votues në të gjithë vendin tregon se vetëm 1 në 10 persona thonë se aborti duhet të jetë i paligjshëm në të gjitha rastet.
6 në 10 të anketuar thonë gjithashtu se vendimi i Gjykatës së Lartë për abortin i bëri ata të pakënaqur ose të zemëruar, krahasuar me më pak që thonë se ishin të lumtur ose të kënaqur me vendimin.