Lidhje

Kosovë: Opozita kërkon bashkërendim të qeverisë me SHBA-në dhe BE-në për situatën në veri


Udhëheqësit e partive politike opozitare në Kosovë i kërkuan të martën qeverisë që të bashkërendojë veprimet me aleatët perëndimorë për tejkalimin e krizës në veriun e Kosovës, pas tërheqjes së punonjësve serbë nga të gjitha institucionet vendase për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Kosovë Opozita kërkon bashkërendim të qeverisë me SHBA-në dhe BE-në për situatën në veri
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:22 0:00

Udhëheqësit e Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërin e Kosovës u pritën të martën nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një takim të rrallë për të diskutuar situatën e re në veri.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha pas takimit se vendi ka hyrë në një periudhë me mundësi përkeqësimi të situatës.

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se qeveria e dinë në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet të marrë për ta mbajtur situatën në kontroll”, tha zoti Krasniqi duke nënvizuar se Kosova duhet të ndërmerr hapa të përgjegjshëm në tejkalimin e situatës aktuale.

“Sot e kemi një situatë të re e cila ka mundur të shmanget. Papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit të duhur me aleatët kryesorë të Kosovës duket se ka sjellë një momentuum që ka mundur të shmanget. Sidoqoftë ne jemi këtu ku jemi dhe është përgjegjësi e qeverisë por edhe obligim i të gjithëve që Kosovën ta vendosim si prioritet para çfarë do lloj konsiderate tjetër politike apo partiake që mund ta kemi në situata tjera”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se gjatë takimit nuk parë ndonjë plan të qeverisë për zgjidhjen e gjendjes së re të krijuar dhe gatishmëri për bashkërendim të plotë me aleatët e vendit.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ne besojmë se koordinimi i ngushtë me Departamentin amerikan të Shtetit dhe me institucionet e sigurisë amerikane, me aleatët tanë në Uashington dhe Bruksel, është zgjidhja e vetme adekuate në situatën e tanishme që është Kosova. Kosova nuk duhet bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd e në koordinime shumë më të thella se sa kaq, por që duhet ngushtë me aleatët e vet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vet”, tha zoti Abdixhiku.

Ai tha se në përballje të tilla është jetike që Kosova të bashkërendohet me aleatët e vet.

“Pra një qeveri që i kërkon popullit të vet që të zgjedh mes aleatëve historik dhe ligjshmërisë ka bërë që në fillim gabim. Ne kërkojmë që kjo qeveri e Kosovës të sigurojë edhe ligjshmëri edhe aleatët e vet”, tha zoti Abdixhiku.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, doli para kohe nga takimi. “Zoti Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”, shkroi ai në rrjetet sociale duke theksuar se për të është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishen marrëdhëniet me aleatin kryesor të sigurisë së Kosovës.

Punonjësit serbë të institucioneve vendase në veriun e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë u tërhoqën pasi qeveria e Kosovës më 1 nëntor filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhë Bashkimit Evropian për një shtyrje prej dhjetë muajsh për të shmangur tensionet dhe për të krijuar hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi franko – gjerman që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën ne veriun e Kosovës.

“Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata i kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit dhe tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ja kanë bërë Evropës, këtë bashkërendim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe me presidentin despotik (Vladimir) Putinin, e për këtë po i përdorin ata të cilët ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës, pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale”, tha kryeministri Kurti, në një referim i qartë në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili tha se Beogradi e ka refuzuar planin franko – gjerman i cili niset nga pohimi se Kosova është shtet i pavarur.

Kryeministri Kurti ripërsëriti se nisma është një mundësi e mirë, ndërsa akuzoi Beogradin se po përpiqet të sabotojë bisedimet dhe çfarëdo marrëveshje dhe se po vazhdon të frikësojë komunitetin serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përfshihen në dialog për të zbutur tensionet në terren dhe për të vazhduar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që serbët të kthehen në institucioneve dhe Serbia t’u përmbahet marrëveshjeve ndërsa Kosova të shtyjë afatin për konvertimin e targave të makinave dhe të fillojë zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumice serbe.

XS
SM
MD
LG