Teori konspirative rreth fletëvotimeve me postë. Mesazhe anonime me tekst që paralajmërojnë votuesit të qëndrojnë në shtëpi. Platforma dytësore mediash sociale ku dezinformatat zgjedhore përhapen pa u ndëshkuar.
Keqinformimet në lidhje me zgjedhjet e ardhshme për në Kongres kanë filluar prej muajsh, duke sfiduar zyrtarët zgjedhorë dhe kompanitë e teknologjisë, ndërsa ofrojnë një tjetër kujtesë se si teoritë e konspiracionit dhe mosbesimi po i japin formë politikës së Amerikës.
Pretendimet po ushqejnë kandidaturat e atyre që mohuan rezultatin e zgjedhjeve dhe kërcënojnë të gërryejnë më tej besimin tek vota dhe demokracia. Shumë prej tyre e kanë fillesën në vitin 2020, kur presidenti i atëhershëm Donald Trump refuzoi të pranonte rezultatin e zgjedhjeve, që humbi ndaj Joe Bidenit dhe filloi të gënjejë për rezultatet e tyre.
“Dezinformimi do të jetë një faktor i rëndësishëm si në këto zgjedhje, ashtu edhe në ato të vitit 2024”, thotë Bhaskar Chakravorti, i cili studion ndryshimet teknologjike dhe shoqërinë dhe është dekan i studimeve për biznesin global në Shkollën Fletcher në Universitetin Tufts. "E vetmja çështje që i motivon votuesit është teoria që zgjedhjet e 2020-ës u vodhën", thotë ai.
Një vështrim mbi sfidat kryesore të dezinformimit në prag të zgjedhjeve të 8 nëntorit 2022
PRETENDIMET ÇORIENTUESE RRETH VOTIMIT
Dezinformatat politike shpesh përqendrohen tek emigracioni, krimi, shëndeti publik, gjeopolitika, fatkeqësitë, arsimi ose vrasjet në masë. Këtë vit dezinformatat kanë të bëjnë kryesisht me votimin.
Pretendimet për sigurinë e fletëve të votimit me postë janë rritur javët e fundit, ashtu si edhe thashethemet e pabaza për votën e atyre që nuk janë shtetas amerikanë. Kjo u shtohet pretendimeve për njerëz të vdekur që hedhin votat, lëvizjen e kutive të votimit, ose teorive të shfrenuara rreth makinave të votimit.
Trump, një republikan, sulmoi legjitimitetin e zgjedhjeve që përpara se të humbiste. Më pas ai refuzoi të pranonte rezultatin, duke përhapur gënjeshtra për zgjedhjet të cilat frymëzuan sulmin vdekjeprurës të 6 janarit 2021 në Kapitol. Pretendimi i tij u refuzua në më shumë se 60 çështje gjyqësore dhe nga vetë prokurori i tij i përgjithshëm, William Barr.
Të gjitha së bashku, pretendimet mashtruese për sistemin zgjedhor të vendit, kanë bërë që disa republikanë të thonë se nuk do t’i postojnë fletëvotimet e tyre deri ditën e zgjedhjeve – një lëvizje që mund të ngadalësojë numërimin e votave.
Të tjerë zotohen të monitorojnë votimet për të parandaluar mashtrimin, duke çuar në shqetësime për frikësimin dhe madje edhe mundësinë e dhunës në qendrat e votimit.
Kompanitë e teknologjisë thonë se kanë zbatuar politika dhe programe të reja të krijuara për të zbuluar dezinformimin.
“Ne kemi parë qindra zgjedhje të zhvillohen në platformat tona vitet e fundit dhe kemi zbatuar mësimet e nxjerra nga secila prej tyre për të forcuar përgatitjen tonë”, tha në një deklaratë kreu i kompanisë Meta, që përfshin Facebook-un dhe Instagram-in.
Megjithatë, kritikët thonë se vëllimi i pretendimeve të rreme që po përhapen tani, tregon se ka më shumë punë për t’u bërë, siç është zbatimi më i mirë i rregullave ekzistuese ose rregulloreve qeveritare, që kërkojnë politika më agresive.
"Ky nuk është më një problem i ri," tha Jon Lloyd, këshilltar i lartë në organizatën jofitimprurëse Global Witness, e cila javën e kaluar publikoi një raport që tregonte se TikTok nuk arriti të hiqte shumë reklama që përmbajnë dezinformata zgjedhore. Platformat e mëdha të mediave sociale, tha ai, "thjesht nuk po bëjnë ende sa duhet për të ndalur kërcënimet ndaj demokracisë”.
DO TË NDODHIN GABIME — NDËRSA ORA PO TROKET
Zgjedhjet përfshijnë përpjekjet e kombinuara të dhjetëra mijëra njerëzve që punojnë nën presion. Gabime priten, kjo është arsyeja pse ekziston një sistem i fortë kontrollesh dhe balancash, për të siguruar gjetjen dhe korrigjimin e gabimeve.
Të nxjerra jashtë kontekstit, histori për aparate votimi me probleme, fletë votimi të përziera, apo edhe automjete "të dyshimta", që mbërrijnë në qendrat zgjedhore, mund të ushqejnë teoritë e ardhshme konspirative për mashtrim zgjedhor.
Dhe me kaq shumë punë për të bërë me një ritëm kaq të shpejtë, punonjësit e zgjedhjeve, zyrtarët lokalë dhe madje edhe mediat mund të kenë pak kohë për sqarim të pretendimeve të tilla përpara se ato të përhapen me shpejtësi, duke u bërë virale.
Në Xhorxhia në vitin 2020, një rrjedhje uji në një vend ku po numëroheshin fletët e votimit u përdor për të sajuar një përrallë të shfrenuar për manipulim të votimit. Në Arizona, zgjedhja e stilolapsave, që u jepeshin votuesve të plotësonin fletët e votimit, çoi në pretendime të ngjashme absurde.
Zyrtarët rekomandojnë që për të shmangur një pretendim mashtrues, konsultohuni me burime të shumta duke përfshirë zyrat e zgjedhjeve lokale. “Çdo parregullsi e rëndësishme në votim do të mbulohet nga shumë media dhe do të adresohet nga zyrtarët zgjedhorë. Jini skeptik ndaj pretendimeve nga burime të dorës së dytë”, tha Shaye-Ann McDonald, një hulumtuese në Universitetin Duke, që studion mënyrat për të mos rënë pre e dezinformatave.
Dezinformata më virale shpesh shkakton zemërim ose frikë që i motivon lexuesit ta ripostojnë atë përpara se të kenë kohë për të shqyrtuar me qetësi pretendimin.
"Kur lexoni për diçka që provokon një emocion të fortë, kjo duhet të jetë një shenjë paralajmëruese," tha zonja McDonald.
NJË SFIDË SHUMËGJUHËSORE
Pak para zgjedhjeve të vitit 2020, reklamat në gjuhën spanjolle në Facebook pretendonin në mënyrë të rreme se zoti Biden, një demokrat, ishte komunist. Në platforma të tjera, postimet paralajmëruan latinët në SHBA, që të mos votojnë fare.
Keqinformimi në gjuhët e huaja është një shqetësim i veçantë i cituar nga studiuesit, të cilët thonë se platformat kryesore – shumica e tyre me bazë në SHBA – janë të përqendruara në moderimin e përmbajtjes në anglisht. Sisteme e automatizuara për të zbuluar dezinformatat në anglisht, nuk funksionojnë aq mirë kur aplikohen në gjuhë të tjera.
"Sado keq që ato (kompanitë e teknologjisë) të moderojnë përmbajtjen në anglisht, ato janë edhe më keq kur bëhet fjalë për gjuhë të tjera," tha Jessica Gonzalez, drejtuese e Free Press, një organizatë jofitimprurëse, që punon në çështjet e drejtësisë racore dhe teknologjisë.
KEQINFORMIMI ME TEKST?
Ndërsa keqinformimi rreth zgjedhjeve përhapet lehtësisht në platformat e mëdha të mediave sociale si Facebook, ai gjithashtu ka zënë rrënjë në një listë të gjatë platformash më pak të njohura si Gab, Gettr, Parler si dhe në platformën e ish Presidentit Trumpit, Truth Social.
Ndërkohë, TikTok është shfaqur si një rrjet kyç për votuesit e rinj – dhe politikanët që duan t'i tërheqin ata. Platforma, në pronësi të një kompanie kineze të quajtur ByteDance, ka krijuar një qendër zgjedhore për të lidhur përdoruesit me informacione të besueshme rreth zgjedhjeve dhe votimeve. Por megjithatë dezinformatat vazhdojnë.
Problemi nuk kufizohet vetëm në rrjetet sociale. Numri i pretendimeve të rreme të transmetuara me tekst dhe email është rritur në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit. Verën e kaluar, votuesit demokratë në Kansas morën tekste mashtruese ku u thuhej se një votim në një referendum të ardhshëm do të mbronte të drejtat e abortit; e kundërta ishte e vërtetë.
MUSK DHE TWITTER
Blerja e Twitter-it nga Elon Musk vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të 2022, përmbysi planet e kësaj platforme për të luftuar dezinformimin përpara zgjedhjeve.
Musk e shkarkoi menjëherë drejtorin ekzekutiv që kishte mbikëqyrur moderimin e përmbajtjes. Gjatë fundjavës, ai vetë postoi në Twitter duke përhapur më tej një teori konspirative të pabazë, në lidhje me sulmin ndaj Paul Pelosit, bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, përpara se ta fshinte më pas postimin.
Musk e ka quajtur veten si mbrojtësin absolut të fjalës së lirë dhe ka thënë se nuk ishte dakord me vendimin për të hequr Trumpin nga platforma për shkak të nxitjes së dhunës më 6 janar 2021.
Ai ka thënë se një komision për moderimin e përmbajtjes do të shqyrtojë rishikimet e mundshme të rregullave të Twitter-it, por se nuk do të bëhen ndryshime deri pas zgjedhjeve.
“Ne po qëndrojmë vigjilentë ndaj përpjekjeve për të manipuluar bisedat në lidhje me zgjedhjet 2022”, shkroi në Twitter, Yoel Roth, kreu i sigurisë dhe integritetit të platformës.
KËRCËNIMET E JASHTME DHE TË BRENDSHME
Përpjekjet ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane datojnë vite më parë dhe ka tregues se Kina dhe Irani po e shtojnë ndërhyrjen e tyre.
Kompanitë e teknologjisë, zyrtarët qeveritarë dhe studiuesit e dezinformatave thonë se po monitorojnë për aktivitete të tilla përpara zgjedhjeve për në Kongres. Por rreziku që vjen nga dezinformimi, i përhapur nga grupet vendase, mund të jetë shumë më i madh.