Disa ditë pasi mori drejtimin e Twitter-it dhe një javë para zgjedhjeve për Kongresin, miliarderi Elon Musk është pozicionuar si moderatori kryesor i një prej platformave më të rëndësishme të medias sociale.
Zoti Musk ka thënë se nuk do të marrë vendime të mëdha në lidhje me përmbajtjen ose rivendosjen e llogarive të ndaluara, përpara krijimit të një këshilli që do të trajtojë çështje që lidhen me një përmbajtje të pranueshme e të arsyeshme të postimeve, me këndvështrime të ndryshme. Por sjellja e tij ka sinjalizuar një tjetër qasje.
Ai ka ndërvepruar drejtpërdrejt me figura të së djathtës politike, të cilët kanë bërë thirrje për kufizime më pak te rrepta, mes tyre kandidati republikan për sekretar shteti të Arizonës. Ky i fundit ka vlerësuar zotin Musk, që i mundësoi rikthimin në Twitter, pas pezullimit të llogarisë së tij për pak kohë të hënën.
Ndërkohë Elon Musk ka bërë ndryshime në profilin e tij duke e quajtur ‘operator i linjës telefonike të ankesave në Twitter’, shoqëruar me një foto të tij kur ishte fëmijë, teksa mbante në dorë një telefon.
Është pothuajse e pamundur për ata që janë jashtë Twitter-it të dinë se si po e përdor ai platformën ose se cilat llogari janë pezulluar: Kompania nuk po u përgjigjet më pyetjeve të medias, me përjashtim të disa rasteve, kur zoti Musk përgjigjet vetë me një postim në Twitter.
Ndërhyrjet e premtuara të zotit Musk filluan javën e kaluar, në ditën e tij të parë të plotë, si pronar i Twitter-it. Një person me pikëpamje politike konservatore i cili ka një podkast, foli mbi raste të dyshuara kur platforma ka favorizuar liberalët duke zbehur në mënyrë të fshehtë peshën e zërave konservatorë sipas tij. Një kritikë e zakonshme që drejtuesit e mëparshëm të Twitter-it e kanë hedhur poshtë si të pavërtetë. "Do të gërmoj më shumë sot (mbi këtë çështje)", i përgjigjej atij zoti Musk.
Kjo qasje e tij vazhdoi kur vajza e psikologut kanadez Jordan Peterson, bëri thirrje që zoti Musk të zhbllokonte llogarinë e babait të saj, të ndaluar për shkak të një postimi të tij në Twitter lidhur me aktorin transgjinor Elliot Page, që mesa duket binte në kundërshtim me rregullat e Twitter-it lidhur me sjelljen e urrejtjes.
Vetë vajza e psikologut kanadez është e njohur në mesin e aktivistëve të krahut të djathtë për kritikat provokuese ndaj feminizimit apo të ashtuajturës kulturë e të sjellurit "politikisht korrekt", një qasje që synon eleminimin e gjuhës e praktikave që mund të ofendojnë ndjeshmëritë mbi çështje të seksit apo racës.
“Çdokush i pezulluar për arsye të vogla e të dyshimta do të lirohet nga 'burgu' i Twitter-it”, shkruante zoti Musk. Muaj më parë, lidhur me rastin e zotit Peterson, Elon Musk kishte thënë se Twitter-i "po shkonte shumë larg me shtypjen e opinioneve të kundërta".
Një nga lëvizjet e para të mëdha të zotit Musk ishte një letër e hapur për kompanitë reklamuese, burimi kryesor i të ardhurave të Twitter-it. Zoti Musk shkruante se ndërsa synon të bëjë përparim me planet e tij për të mbështetur fjalën e lirë në platformë, ai nuk do ta lejonte Twitter-in të shndërrohet në një platformë ku mund të thuhet gjithçka e pa pasoja.
Ndërkohë ai po sugjeron që t'u kërkohet përdoruesve të paguajnë 8 dollarë për vendosjen në llogarinë e tyre të një shenjë blu që shërben për të verifikuar se llogaria i takon përdoruesit të vërtetë, si një mënyrë për të zgjeruar burimin e të ardhurave.
Shenja është kritikuar si një simbol i elitizmit në platformë. Por qëllimi kryesor i saj ka qenë të verifikojë se llogaritë, si ato të politikanëve, firmave të ndryshme e gazetarëve, janë të vërteta. Ajo ka shërbyer si një mjet për të parandaluar shtrembërimin dhe për të ndihmuar në ndalimin e rrjedhës së dezinformatave.
Por disa kompani kanë ende shqetësime në lidhje me hapjen e platformës nga ana e zotit Musk, ndaj një lumi postimesh me përmbatje toksike, që shihet si dëmtuese për markat e tyre. Kompania ‘General Motors’ ka njoftuar se do të pezullojë reklamat në Twitter ndërsa do të monitorojë platformën nën drejtimin e zotit Musk. Të tjerë gjithashtu po përballen me trysni për të rishikuar planet mbi qasjen e tyre ndaj platformës. Të martën, mbi 30 organizata që mbrojnë interesat e grupeve të ndryshme shoqërore, dërguan një letër të hapur për 20 reklamuesit kryesorë të Twitter-it, duke u bërë thirrje atyre që të angazhohen për të ndalur reklamat në platformë, nëse Twitter minon sikurse shkruanin ato, sigurinë e markës.
Gjatë fundjavës, miliarderi postoi në Twitter një artikull që përmbante zëra të pabazuar në fakte mbi sulmin ndaj bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Më pas ai e fshiu postimin. Shumica e komenteve të tij në ditët e fundit ka qenë një përgjigje ndaj thirrjeve nga zëra konservatorë.
Në një shkëmbim mesazhesh me agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’, Mark Finchem, republikani që po kandidon për t'u bërë sekretar i Shtetit i Arizonës, tha se qasja e tij në platformë u rivendos me shpejtësi pasi kontaktoi zotin Musk. I pyetur se pse llogaria e tij ishte pezulluar, zoti Finchem tha: "ndoshta duhet të kontaktoni Elon Musk-un. Ne u ndaluam për një arsye të panjohur. Kontaktuam me të dhe 45 minuta më vonë llogaria u bë funksionale".
Zoti Finchem, i cili ka vënë në pikëpyetje rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe ishte në Kapitol më 6 janar të vitit 2021, ka qenë në qendër të vëmendjes lidhur me deklaratat e tij mbi sigurinë e zgjedhjeve dhe planet për të ndryshuar rregullat zgjedhore nëse javën e ardhshme do të fitojë detyrën e sekretarit të shtetit.
Zoti Musk shkruante në Twitter të hënën në mbrëmje se ai po shqyrtonte këtë çështje si përgjigje ndaj ankesës së zotit Finchem. Ankesa erdhi nga avokatja e tij Jenna Ellis, e cila ka shërbyer si këshilltare ligjore e fushatës së ish-presidentit Donald Trump. Rreth 40 minuta më vonë, zoti Finchem bëri një postim provë në llogarinë e tij, qe u pasua nga një postim më i gjatë, ku falënderonte zotin Musk që i dha mundësinë ta përdorte sërish platformën.
"Faleminderit @elonmusk që ndaluat komisionin që më pezulloi nga Twitter-i një javë para zgjedhjeve", shkruante zoti Finchem. "Twitter është shumë më mire, me ju në krye", vijonte ai më tej.
Jared Holt, një menaxher i lartë në Institutin për Dialogun Strategjik, tha se kompanitë e mëdha të medias sociale zakonisht kanë funksionuar sipas tekave të pronarëve të tyre. Por "ky problem është veçanërisht i dukshëm kur dikush si Elon Musk-u merr frenat dhe funksionon si mbret i platformës, në vend që të përpiqet të drejtojë një biznes koherent", siç tha zoti Holt.
Por megjithatë zoti Musk ka dërguar sinjale të ndryshme mbi qëllimet e tij. Pavarësisht shembujve të dukshëm mbi politikat e Twitter-it, që tingëllojnë tërheqës për konservatorët, ka gjithashtu shumë prova që politikat e platformës për luftimin e dezinformatave janë ende në fuqi. Zoti Musk ka mbrojtur kreun e zyrës së besimit e sigurisë së Twitter-it, Yoel Roth, pasi disa përdorues konservatorë kërkuan shkarkimin e tij lidhur me komente të bëra nga zoti Roth në të kaluarën që shprehnin pikëpamje liberale.
Zoti Roth vazhdon të jetë në detyrë edhe pse drejtues të tjerë të lartë u pushuan nga puna ose dhanë dorëheqjen. Krahas zotit Musk, ai duket se është zëri kryesor publik i moderimit të përmbajtjes në Twitter. Ai tha se kompania e kaloi fundjavën duke punuar për të hequr postime në rritje që pasqyrojnë shprehje te urrejtjes, e që u vunë re pasi platforma kaloi në pronësi të zotit Musk.
“Të gjithë kemi bërë disa postime të dyshimta. Unë më shumë se pjesa dërrmuese, por dua të jem i qartë se e mbështes Yoel-in”, shkruante zoti Musk në Twitter në përgjigje ndaj një ankese nga një komentues konservator. "Une mendoj se ai është një njeri me integritet të lartë dhe ne të gjithë kemi të drejtë të kemi bindjet tona politike".
Disa vëzhgues të vjetër në Twitter-it kanë shprehur skepticizëm rreth efektivitetit të këshillit të moderimit të përmbajtjes që planifikon të krijojë zoti Musk. Shqetësimi lidhet pjesërisht me faktin se Twitter-i e ka tashmë ka një këshill mbi besimin e sigurinë që e trajton këtë çështje.
"Realisht nuk e kuptoj se çfarë do të kishte ndryshe ky këshill", thotë Danielle Citron, profesore në Universitetin e Virxhinias, e cila është pjesë e këshillit dhe ka punuar me Twitter-in që nga viti 2009 për të trajtuar dëmet që shkaktohen në internet, të tilla si kërcënimet dhe përndjekja. "Këshilli ynë trajton një spektër të plotë të pikëpamjeve që lidhen me lirinë e fjalës", tha ajo.
Zonja Citron tha se ajo është ende duke pritur për të kuptuar nëse këshilli do të zhvillojë mbledhjen e tij të radhës, të planifikuar një ditë pas zgjedhjeve për Kongresin.