Lidhje

Rusia i rikthehet marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas


UKRAINE-CRISIS/GRAINS-INSPECTIONS
UKRAINE-CRISIS/GRAINS-INSPECTIONS

Rusia ra dakord të mërkurën të rikthehet tek marrëveshja e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja për të lejuar lëvizjen e drithërave dhe mallrave të tjera nga portet e Ukrainës, tha presidenti i Turqisë.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu informoi ministrin turk të Mbrojtjes Hulusi Akar se marrëveshja për një korridor humanitar të grurit do të "vazhdojë në të njëjtën mënyrë si më parë" që nga mesdita e së mërkurës.

Zoti Erdogan tha se marrëveshja e rinovuar do t'i jepte përparësi dërgesave në vendet afrikane, duke përfshirë Somalinë, Xhibutin dhe Sudanin, një veprim që merr parasysh shqetësimet e Rusisë se shumica e grurit të eksportuar që kur u arrit marrëveshjet për herë të parë në korrik, përfundonte në vendet më të pasura.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Rusia ra dakord të vazhdojë të kryejë rolin e saj në marrëveshje pasi mori garanci me shkrim nga Kievi se Ukraina nuk do të përdorë korridorin detar për veprime ushtarake kundër Moskës.

Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e grurit gjatë fundjavës, duke përmendur akuzat për një sulm ukrainas me dron kundër flotës së saj në Detin e Zi. Ministria ruse e Mbrojtjes tha të hënën se trafiku i anijeve nga portet në jug të Ukrainës u bllokua, duke e quajtur lëvizjen "të papranueshme".

Ministria e Mbrojtjes tha të mërkurën se Ukraina ishte zotuar zyrtarisht për përdorimin e korridoreve të sigurta të transportit përmes Detit të Zi "ekskluzivisht në përputhje me kushtet e nismës së Detit të Zi", një referencë për marrëveshjet e veçanta të OKB-së dhe Turqisë të nënshkruara nga Moska dhe Kievi më 22 korrik.

Anijet e ngarkuara me grurë u nisën nga Ukraina të martën, pavarësisht se Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja, e cila synonte të siguronte kalimin e sigurt të furnizimeve kritike ushqimore për pjesët e botës që kanë probleme me urinë. Por OKB-ja kishte thënë se anijet nuk do të lëviznin të mërkurën, duke ngritur shqetësime për dërgesat e ardhshme.

OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshje të veçanta me Rusinë dhe Ukrainën në korrik për t’u siguruar që Afrika, Lindja e Mesme dhe pjesë të Azisë do të furnizoheshin me grurë dhe ushqime të tjera nga rajoni i Detit të Zi gjatë luftës në Ukrainë, të filluar nga Rusia.

XS
SM
MD
LG