Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, theksoi të mërkurën se administrata e Presidentit Biden mbështet popullin e Iranit, duke shtuar se mund të ekzistojë një bashkëpunim ndërmjet Iranit dhe Rusisë lidhur me mënyrën se si autoritetet në Iran mund të përballen me protestuesit.
"Qëndrojmë përkrah qytetarëve e grave kurajoze të Iranit që po protestojnë në këto momente për të siguruar të drejtat e tyre themelore", u tha gazetarëve zonja Jean-Pierre.
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë "të shqetësuara se Moska mund të jetë duke këshilluar Teheranin se si t’i menaxhojë protestat, duke përfituar nga eksperienca e gjerë e Rusisë në shtypjen e demonstratave në rrugë”.
Zonja Jean-Pierre shtoi se evidenca se Irani po ndihmon Rusinë në luftën në Ukrainë është “e qartë dhe publike”.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë thënë se dronët e përdorur nga forcat ruse për të sulmuar Ukrainën gjatë javëve të fundit, ishin ofruar nga Irani. Rusia ka mohuar të ketë përdorur dronë iranianë dhe Irani ka mohuar se furnizon me to Rusinë.
“Irani dhe Rusia janë afruar gjithnjë e më shumë, ndërkohë që bëhen edhe më të izoluar”, tha zonja Jean-Pierre. “Mesazhi ynë për Iranin është shumë, shumë i qartë: Ndalni vrasjet e popullit tuaj dhe ndalni dërgimin e armëve Rusisë për të vrarë ukrainasit”.
Gjatë së njëjtës seancë informimi të së mërkurës, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se Rusia dhe Irani po bashkëpunojnë për të shkelur të drejtat njerëzore dhe civile të iranianëve, si dhe për të rrezikuar jetët e ukrainasve.
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Iranit - grave iraniane dhe të gjithë qytetarëve të Iranit që po frymëzojnë botën me trimërinë e tyre. Do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime për të imponuar kosto ndaj atyre që ushtrojnë dhunë kundër protestuesve paqësore, ose që përpiqen në mënyra të tjera të shtypin të drejtat e tyre shumë, shumë themelore”, tha ai.