Në Tiranë, Partia Demokratike, e drejtuar nga ish presidenti Sali Berisha, dhe Partia e Lirisë, e drejtuar nga ish presidenti Ilir Meta, nënshkruan sot një marrëveshje për të garuar me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të 14 majit vitin e ardhshëm.
Marrëveshja parashikon që Partia Demokratike të sjellë kandidatët me zgjedhje primare, ndërsa Partia e Lirisë të luajë rol më të madh në këshillat bashkiakë.
Marrëveshja mes kryetarëve Meta e Berisha parashikon se kandidatët për kryetarë bashkie do të dalin nga konkurimi në zgjedhje primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike.
Ndërsa këshillat bashkiake, sipas marrëveshjes, pritet të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit përcaktojnë shumicën në këto këshilla.
“Kjo është marrëveshja më parimore, që i shërben demokracisë, rivendosjes së rendit kushtetues, llogaridhënies dhe pluralizmit politik”, thotë zoti Meta.
Të dy politikanët janë bashkuar sërish kundër Partisë Socialiste, me të cilën kanë marrëdhënie të ngrira dhe e akuzojnë për korrupsion masiv dhe betonizim të qyteteve.
PS u përpoq dy herë të shkarkonte ish presidentin Meta për shkelje kushtetuese, ndërsa zotin Berisha e cilëson politikisht të përfunduar, pas përcaktimit nga SHBA për korrupsion.
Në zgjedhjet e mëparshme vendore Partia Demokratike nuk mori pjesë, në vazhdën e bojkotimit të institucioneve, pasi dogji edhe mandatet e deputetëve të saj në Kuvend.
Kjo solli që Partia Socialiste të merrte pothuaj gjithë bashkitë e vendit.
Marrëveshja Meta - Berisha parashikon përdorimin e referendumeve qendrore dhe vendore për të dëgjuar vullnetin e qytetarëve për çdo çështje që i shqetëson, si dhe llogaridhënie e transparencë të plotë mbi fondet publike, vendimet e këshillave bashkiake dhe të bashkive.
Ata u angazhuan për të ndaluar betonizimin e qyteteve, duke i dhënë përparësi gjelbërimit dhe shëndetit të qytetarëve.
“Referendumi dhe demokracia direkte është dhe mbetet ndoshta mjeti më kryesor për të shëruar dhe rikthyer demokracinë në Shqipëri, e cila është në agoni të plotë”, thotë zoti Berisha.
Të dy ish presidentët, Meta e Berisha u rikthyen në krye të partive të tyre, i pari menjëherë pasi mbaroi mandatin presidencial të mbështetur nga Partia Socialiste, duke i ndërruar edhe emrin LSI-së.
Ndërsa i dyti u kthye afro 6 muaj pasi u përcaktua familjarisht nga SHBA për korrupsion domethënës dhe cënim të demokracisë, duke i hequr të drejtën që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përcaktoi ish presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, një vit e gjysmë më parë, si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë.
Në deklaratën e publikuar me këtë rast thuhet se veçanërisht si kryeministër i Shqipërisë, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes”.
Përcaktimi i zotit Berisha nga SHBA shkaktoi një tension të gjerë brenda PD, sapo kryetari i saj Lulzim Basha vendosi, që ta përjashtojë nga grupi parlamentar.
Zoti Basha ka dhënë dorëheqjen nga kreu i PD-së, selia e të cilës u sulmua fizikisht nga përkrahës të zotit Berisha.
Ndërsa tani përfaqësues të dy grupimeve brenda PD-së po bisedojnë nëse do të bashkohen për zgjedhjet vendore.