Lidhje

Ukraina njofton sulme të reja nga Moska ndaj infrastrukturës energjetike


Kompania shtetërore e energjisë në Ukrainë ‘Ukrenergo’ bëri të ditur të enjten se ka vendosur kufizime në përdorimin e energjisë elektrike në rajone të shumta të vendit. Vendimi pason sulmet gjatë natës, nga ana e trupave ruse, që kishin në shënjestër infrastrukturën energjetike të vendit.

‘Ukrenergo’ tha se sulmet kishin dëmtuar aparatura të rëndësishme në pjesën qendrore të vendit. Sipas kompanisë kufizimet në përdorimin e energjisë elektrike, janë të nevojshme për të shmangur mbingarkesat në rrjet dhe për të lehtësuar procesin e rregullimit të objekteve të dëmtuara.

Disa orë para sulmeve të reja Presidenti Volodymyr Zelenskyy falënderoi punonjësit e sektorit të energjisë për përpjekjet e tyre për të stabilizuar furnizimin me energji elektrike.

Pavarësisht se çfarë bën armiku, detyra jonë është të prishim planet e tij e të mbrojmë Ukrainën. Kjo nuk është detyrë e një njeriu të vetëm apo vetëm e punonjësve të energjisë. Konsumi i përgjegjshëm i energjisë në këto kohë është i nevojshëm për të gjithë ukrainasit", tha zoti Zelenskyy në fjalimin e tij të mërkurën në mbrëmje.

Një zyrtar i emëruar nga Rusia në Krime njoftoi të enjten për një sulm me dron gjatë natës ndaj një centrali në gadishullin e aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Zyrtari tha se sulmi nuk kishte shkaktuar viktima dhe se nuk rrezikonte furnizimin me energji elektrike të rajonit të goditur.

XS
SM
MD
LG