Lumi Narva ndan Estoninë nga Rusia duke qënë një nga pikat ku takohet ‘kufiri” ndërmjet NATO-s dhe Rusisë.
Popullsia e qytetit të Narvës, si pjesa më e madhe e lindjes së vendit, është kryesisht rusisht-folëse dhe mban lidhje të ngushta kulturore dhe ekonomike me Rusinë.
Qytetarët e Narvës përpiqen të ruajë traditat dhe kulturën ruse, por mërziten kur nacionalistët estonezë ndonjëherë i cilësojnë si agjentë të Kremlinit brenda Estonisë.
“Ne nuk jemi agjentë të askujt, si mund të jemi? Kjo është një ide që nxitet nga pushteti. Njerzit në Estoni janë të hapur e gjithëpërfshirës”, thotë Alla Matveeva, nga grupi folklorik Svetogorsk.
Për vite me radhë autoritetet estoneze kanë paralajmëruar rreth rrezikut të zgjerimit rus dhe e kanë cilësuar Kremlinin si kërcënimin më të madh për sovranitetin e vendit, shumë kohë para se të niste pushtimi në Ukrainë, thonë analistët.
“Deri më tani në Estoni nuk ka patur kurrë një luftë civile. Kërcënim është Rusia. Është shumë e thjeshtë, ka qenë kaq e thjeshtë që nga rifitimi i pavarësisë më 1991" thotë Ivo Juurvee, nga Qendra Ndërkombëtare për Mbrojtje e Siguri.
Estonezët e konsiderojnë kohën kur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, si një periudhë pushtimi. Pesha e historisë është edhe më e madhe tani që estonezët shohin Rusinë duke sulmuar Ukrainën.
"Mendoj se pas asaj që po ndodh në muajt e fundit dhe luftës në Ukrainë, kemi nisur të vlerësojmë pavarësinë dhe lirinë nga një tjetër këndvështrim”, thotë Karen Jagodin, nga Muzeu Vabamu.
Por pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe rikthimit të pavarësisë në Estoni, duket se nuk ka ndodhur integrimi i minoritetit që flet rusisht.
“Integrimi, përfundimisht nuk është një histori suksesi në Estoni. Mënyra se si komuniteti që flet rusisht është integruar në shoqërinë estoneze në 30 vitet e fundit nuk është sukses. Kjo është një sfidë e madhe”, thotë Karen Jagodin.
Sikurse në vendet e tjera që ishin nën autoritetin e Rusisë, gjuha luan një rol të rëndësishëm në identitetin dhe sovranitetin e vendit. Edhe pse rusishtja flitet ende në pjesën më të madhe të Estonisë, përdorimi i saj po pakësohet, teksa njerëzit po përqendrohen më shumë tek gjuha estoneze.
"Nëse kthehem prapa, para 30 vjetësh, kur ndikimi i gjuhës ruse ishte në nivelin më të lartë në shkolla dhe e krahasojmë me tani, atëherë mund të them se gjuha estoneze tani është shumë më e dashur”, thotë mësuesja Anneliis Liblik.
Dhe ndërsa fëmijët e këtij fshati ndjekin mësimet në gjuhën estoneze, një grup fëmijësh refugjatë ukrainas rusishtfolës nga Donetsku, Odesa dhe Nikolajevi praktikojnë vallet tradicionale estoneze, një proces integrimi në kulturën estoneze që, çuditërisht, bëhet në gjuhën ruse.