UASHINGTON (AP) - Vdes në moshën 68-vjeçare ish-sekretari i Mbrojtjes Ash Carter, i cili në dy vitet e fundit në administratën Obama, hapi dyert për gratë të merrnin pjesë në operacionet luftarake dhe i dha fund ndalimit të personave transgjinorë që të shërbenin në ushtri.
Zoti Carter vdiq nga një goditje në zemër të hënën në mbrëmje, sipas një deklarate të lëshuar të martën nga Douglas Elmendorf, dekan i Shkollës Kennedy të Universitetit të Harvardit. Zoti Carter kishte shërbyer si drejtor i Qendrës Belfer për Shkencën dhe Çështjet Ndërkombëtare të shkollës.
Përpara se zoti Carter të emërohej sekretar i Departamentit të Mbrojtjes, ai shërbeu në administratën e Presidentit Barack Obama si zyrtari kryesor mbi çështje të prokurimit ndërsa mbikëqyrte përpjekjet e departamentit për të çuar më shumë se 24,000 automjete kundër minave në Irak dhe Afganistan.
Në atë kohë, mijëra trupa amerikane po gjymtoheshin ose vriteshin nga bombat në anë të rrugës, sepse nuk kishte mbrojtje adekuate në automjetet që përdornin. Zoti Carter shpesh përmendi zhvillimin dhe prokurimin e shpejtë të këtyre automjeteve si një nga arritjet e tij kryesore.
Në dhjetor 2015, pas tre vitesh studimi dhe debati, zoti Carter urdhëroi ushtrinë të hapte të gjitha vendet e punës për gratë, duke hequr barrierat përfundimtare që i pengonin gratë të shërbenin në luftime, duke përfshirë postet komando më të rrezikshme dhe rraskapitëse.
Një vit më pas, zoti Carter i dha fund ndalimit të trupave transgjinore që shërbenin në ushtrinë amerikane, duke thënë se ishte gjëja e duhur për t'u bërë.
"Amerikanëve që duan të shërbejnë dhe mund të përmbushin standardet tona duhet t'u jepet mundësia për të konkurruar për ta bërë këtë," tha zoti Carter në qershor të vitit 2016, duke paraqitur një plan njëvjeçar për të zbatuar ndryshimin.
Ash Carter, i lindur në Filadelfia, shërbeu si Sekretari i 25-të i Mbrojtjes dhe "asgjë nuk i jepte kënaqësi më shumë sesa të kalonte kohë me trupat, duke bërë udhëtime të shpeshta në Irak dhe Afganistan për të vizituar forcat amerikane me gruan e tij Stephanie", tha familja e tij në një deklaratë. "Carter gjithmonë e linte mënjanë politikën; ai u shërbeu presidentëve të të dyja partive në pesë administrata”.