Lidhje

Kinë, Xi Jinping zgjeron pushtetin, përkrah aleatët


Presidenti Xi Jinping, udhëheqësi më i fuqishëm i Kinës në dekada, përforcoi dominimin e tij të dielën me zgjedhjen për një mandat tjetër në krye të Partisë Komuniste në pushtet.

Zoti Xi, i cili mori pushtetin në vitin 2012, fitoi një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm, duke thyer një traditë të paraardhësit të tij që u largua pas 10 vitesh në detyrë. Disa mendojnë se udhëheqësi 69-vjeçar do të përpiqet të qëndrojë në pushtet përjetë.

Partia emëroi gjithashtu një Komitet të Përhershëm prej shtatë anëtarësh, rrethi i ngushtë i pushtetit, dominuar nga aleatët e zotit Xi, të cilët mbështesin vizionin e tij për kontroll më të fortë mbi shoqërinë dhe ekonominë në vështirësi të vendit. Kryeministri Li Keqiang, udhëheqësi numër dy dhe mbështetës i reformës së tregut të lirë e sipërmarrjes private, u hoq nga detyra të shtunën. Kjo ndodhi pavarësisht se zoti Li është një vit më i ri sesa mosha e përcaktuar në mënyrë jozyrtare nga partia për daljen në pension, që është 68 vjeç.

"Fuqia do të përqendrohet edhe më shumë në duart e Xi Jinpingut", thotë Jean-Pierre Cabestan, një ekspert i politikës kineze në Universitetin Baptist të Hong Kongut. "Të emëruarit e rinj janë të gjithë besnikë të tij. Nuk ka fare kundërpeshë apo kontroll e ekuilibra në sistem", tha ai.

Të shtunën, paraardhësi i zotit Xi, 79-vjeçari Hu Jintao, u largua papritur nga mbledhja e Komitetit Qendror të Partisë me një ndihmës që siç u pa dhe nga pamjet filmike e mbante atë përkrahu. Kjo nxiti pikëpyetje nëse kjo ishte një mënyrë e zotit Xi për 'treguar muskujt', duke dëbuar zyrtarë të tjerë të lartë të partisë. Më vonë Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua njoftoi se zoti Hu ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe kishte nevojë të pushonte.

Zoti Xi dhe anëtarë të tjerë të Komitetit të Përhershëm, ku nuk bën pjesë asnjë grua, u shfaqën për herë të parë si grup para gazetarëve.

Ndryshimet në postet drejtuese u njoftuan ndërsa partia përfundoi një kongres që u vëzhgua nga afër për shkak të pritshmërive mbi iniciativat për të ndalur rënien ekonomike apo dhe ndryshimeve në strategjinë e ashpër, që nuk toleron asnjë rast me Covid, falë së cilës janë mbyllur qytete dhe është ndërprerë veprimtaria e bizneseve. Zyrtarët i zhgënjyen investitorët dhe publikun kinez duke njoftuar se në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë ndryshim.

XS
SM
MD
LG