Lidhje

Zgjedhjet për Kongresin dhe marrëdhëniet SHBA-Kinë 


US-China
US-China

Partia Komuniste e Kinës përfundoi sot kongresin e saj, i cili mbahet një herë në 5 vjet, duke miratuar amendamentet në statutin e saj që synojnë çimentuar pushtetin e Xi Jinping-ut si udhëheqës i vendit dhe duke krijuar një Komitet të ri Qendror ku mungojnë dy zyrtarë kryesorë që nuk kanë lidhje të ngushta me Presidentin Xi. Komiteti i ri Qendror do të zgjedhë nesër Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike elitare, i cili pritet t’i sigurojë 69 vjeçarit Xi një mandat të tretë si President i Kinës. Mandati i tretë pesëvjeçar do ta forconte pozitën e Xi Jinpingut si udhëheqësi më i fuqishëm i Kinës që nga koha e Mao Ce Dunit, themeluesit të Republikës Popullore të Kinës. Ndërkohë, pas zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin në Shtetet e Bashkuara, që sipas sondazheve pritet të fitohen nga republikanët, pritet të shtohet trysnia ndaj Presidentit Biden për t’u treguar më i ashpër ndaj Kinës. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim mënyrës se si një Kongresi i udhëhequr nga republikanët do të mund të ushtronte më shumë trysni mbi administratën e presidentit Biden për çështje të ndryshme, nga marrëdhëniet tregtare me Pekinin deri tek mbështetja për Tajvanin.

Presidenti Xi Jinping nuk përmendi Shtetet e Bashkuara gjatë Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste Kineze këtë javë, por mesazhi i tij ishte i qartë: Pekini do të kundërpërgjigjet ndaj kërcënimeve të Perëndimit, përfshirë ato mbi çështjen e Tajvanit.

“Nuk heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe ruajmë të drejtën për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme”, tha ai lidhur me çështjen e Tajvanit.

Kongresi i Partisë Komuniste të Kinës çimentoi një politikë të jashtme më agresive nën drejtimin e Xi Jinpingut, i cili do të mbetet në pushtet për një mandat të tretë. Kjo e vendos Pekinin në një rrugë përplasjeje me administratën e Presidenti Biden, e cila do të jetë nën trysni për të qenë edhe më e ashpër ndaj Kinës, nëse republikanët fitojnë më shumë vende në Kongres në zgjedhjet e nëntorit.

“Për 50 vjet, Partia Komuniste Kineze ka sulmuar mënyrën amerikane të jetesës, ekonominë, vendet e punës, kompanitë, kulturën, institucionet dhe të ardhmen tonë”, tha Kevin McCarthy, udhëheqës i Pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kongresi amerikan po shqyrton Aktin e Politikës për Tajvanin, një projektligj që synon të rrisë aftësinë ushtarake të ishullit të vetëqeverisur kundër një sulmi të mundshëm kinez. Pekini e konsideron Tajvanin një provincë të tij të shkëputur. Ligjvënës të ndryshëm republikanë kanë premtuar gjithashtu një qëndrim më të ashpër për gjithçka, përfshirë çështjen e zinxhirit të furnizimit dhe hetimin e origjinës së koronavirusit, për të theksuar pikëpamjen e tyre se Presidenti Joe Biden është i butë me Pekinin.

Por edhe nëse demokratët ruajnë shumicën e tyre të vogël në Kongres, qasja e Presidentit Biden ndaj Kinës ka të ngjarë të mbetet e ashpër duke mbajtur në fuqi shumë politika të paraardhësit të tij, Presidentit Donald Trump, përfshirë tarifat e larta për mallrat kineze dhe frenimin e ndikimit të Pekinit në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Gjatë administratës së Presidentit Trump, kinezët me të vërtetë shpresonin se demokratët do të fitonin. Por pas gati dy vitesh të administratës së Presidentit Biden, mendoj se kinezët e kanë kuptuar se asnjëri prej tyre nuk do të ndryshojë qasjen ndaj Kinës. Disa në Kinë madje thonë se politikat e Presidentit Bidenit janë më të ashpra ndaj Kinës për shkak të mënyrës se si zoti Biden po mobilizon aleatët dhe partnerët për të kundërshtuar së bashku ndikimin në rritje të Kinës”, thotë analistja Yun Sun nga Qendra Stimson.

Nëse republikanët rimarrin shumicën në Kongres, vëzhguesit thonë se do të ketë më shumë skepticizëm ndaj përpjekjeve të Presidentit Biden për konkurrencë strategjike me Kinën, ndërsa bashkëpunon me Pekinin për sfidat globale si ndryshimi i klimës.

XS
SM
MD
LG