Në një intervistë për Zërin e Amerikës ish-deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari flet mbi zhvillimet më të fundit brenda kësaj force politike dhe përpjekjet e dy grupimeve brenda saj, për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale të vitit që vjen.
Por megjithë një interes të shprehur hapur për të bashkëpunuar, grupimi që kryesohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, pjesë e së cilit është edhe zonja Hajdari, po vazhdon me planet për të mbajtur të ashtuquajturat primare, nga të cilat do të dalin kandidatët për zgjedhjet lokale.
Për zonjën Hajdari, bashkëpunim i dy grupimeve brenda partisë i nevojitet vendit, përballë një realiteti shumë të vështirë ekonomik që ka krijuar qeveria e majtë sikurse thotë ajo.
Por po kaq të rëndësishme, zonja Hajdari sheh dhe mbajtjen e të ashtuquajturave primare. Ajo thotë se ato do të shërbejnë gjithëaq për të bërë dallimin e thellë me Partinë Socialiste, një forcë politike që sipas zonjës Hajdari, ku askush tjetër, përveç kreut të saj Edi Rama, nuk ka zë.
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike flet dhe mbi planet e kësaj force polike për të përfshirë në votim në primare, krahas anëtarëve edhe simpatizantë të partisë, megjithë pikëpyetjet e ngritura mbi besueshmërinë e procesit.