BRUKSEL – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian fillojnë të enjten një takim dyditor ku do të ketë pikëpamje të kundërta për çështjen nëse dhe si mundet BE-ja të vendosë një tavan çmimi për të vënë nën kontroll krizën energjitike të shkaktuar nga sulmi i Presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë dhe nga strategjia e tij për të pakësuar furnizimet me gaz.
Në çelje të takimit, nevoja për një unitet të palëkundur në BE përballë Rusisë, do të theksohet nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili pritet t’u drejtohet 27 udhëheqësve nëpërmjet një lidhjeje videofonike nga Kievi për të kërkuar ndihmë, që vendi i tij të përballojë stinën e dimrit.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha më herët të enjten se zoti Zelenskyy nuk duhet të ketë shqetësime të tilla. Duke reaguar ndaj sulmeve ruse që godasin infrastrukturën civile dhe përhapin frikë nëpër qytete me dronët e tyre vrasës, Kancelari Scholz tha se këto janë “krime lufte”.
“As këto taktika të tokës së djegur nuk do ta ndihmojnë Rusinë të fitojë luftën. Këto vetëm sa forcojnë vendosmërinë dhe rezistencën e Ukrainës dhe partnerëve të saj”, i tha ai parlamentit në Berlin.
Stina e ftohtë që po afron do të jetë gjithashtu në epiqendër të takimeve në selinë qendrore të BE-së, ku udhëheqësit do të angazhohen në bisedime, që pritet të vazhdojnë deri në orët e vona të natës, ndërkohë që mbetet pikëpyetje nëse do të arrijnë në një përqasje të përbashkët për energjinë.
Çmimet e gazit natyror dolën jashtë kontrollit gjatë verës, ndërsa vendet e BE-së konkuronin me njëri-tjetrin për të mbushur depozitat me rezerva për dimrin. Tashmë udhëheqësit e BE-së do të përpiqen t’i bashkojnë blerjet e gazit të vendeve anëtare dhe të vendosin një çmim tavan për t’u siguruar që tregu energjitik nuk do të çrregullohet sërish.
Gjatë 16 viteve të saj në detyrë, ish-Kancelarja Angela Merkel shërbeu si një zë zbutës dhe shpesh ndërmjetësonte për arritjen e kompromisit. Tashmë është pasaardhësi i saj Olaf Scholz, që gjendet në epiqendër të ndasive të unionit.
Shumë vende të BE-së janë të gatshme ta mbështesin propozimin për një tavan çmimi për gazin natyror, duke e ruajtur atë kështu në një nivel të përballueshëm për 450 milionë banorët e BE-së. Por, Gjermania dhe Hollanda kanë kundërshtime të mëdha për këtë dhe kanë thënë se mund të jetë e pazbatueshme dhe se mund të bëjë që furnizimet thjesht ta anashkalojnë BE-në.
Kancelari Scholz i tha parlamentit gjerman se “një çmim i vendosur politikisht gjithnjë mbart rrezikun që prodhuesit ta dërgojnë gazin diku tjetër – dhe si rezultat ne si evropianë të mos marrim më shumë gaz, por më pak”.
Ai tha se BE-ja duhet të konsultohet nga afër me konsumatorët e tjerë të gazit, si Japonia dhe Korea e Jugut, në mënyrë që të mos konkurojnë me njëri-tjetrin; dhe se është e rëndësishme të bisedohet me prodhuesit e gazit për gjetjen e “një çmimi të përshtatshëm”.
“Jam i bindur se vende si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja apo Norvegjia, të cilat qëndrojnë në solidaritet përkrah Ukrainës së bashku me ne, janë të interesuara që energjia në Evropë të mos bëhet e papërballueshme”, tha ai.
Gjermania dhe Holanda besojnë se ndërhyrje të tilla në treg mund të dëmtonin rezervat e gazit natyror dhe do t’i dekurajonin qeveritë dhe konsumatorët për ta kursyer atë.
Diplomatët thanë se pritet të marrë shumë më tepër mbështetje një propozim për të bashkuar blerjet e gazit natyror nga vendet anëtare të BE-së, si dhe masat për të përmirësuar solidaritetin me vendet e BE-së që janë goditur më shumë nga rritjet e çmimeve të energjisë.
Rusia po mbështetet gjithnjë e më shumë tek sulmet me dronë ndaj rrjetit energjitik dhe infrastrukturës civile të Ukrainës, duke mbjellë kështu panik në qytetet ukrainase. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen i quajti të mërkurën këto taktika “krime lufte” dhe “terror i mirëfilltë”.
Diplomatët evropianë po shqyrtojnë tashmë vendosjen e sanksioneve të mëtejshme. Por, gjërat vështirësohen nga miqësia me Kremlinin e Kryeministrit hungarez Viktor Orban. Megjithë miratimin së bashku të sanksioneve të mëparshme ndaj Rusisë, është bërë gjithnjë e më e vështirë që të sigurohet miratimi i zotit Orban duke i ofruar atij përjashtime.
“Sanksionet e dështuara në Bruksel janë bërë tashmë një barrë pothuajse e patolerueshme. Do të kërkojmë rishqyrtimin e politikave të sanksioneve për luftën”, shkruajti zoti Orban të mërkurën, duke u bërë kështu një sfidë politike kolegëve të tij.