Që prej 21 shtatorit, Rusia po zbaton atë që e quan mobilizim të pjesshëm dhe qytetarët në Krimenë e aneksuar po thirren për të ndihmuar në luftë. Por ekspertët e të drejtave të njeriut thonë se tartarët indigjenë të Krimesë më së shumti po rekrutohen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets sjell materialin në vijim.
Udhëheqësit pro-rusë të Krimesë thonë se i ashtuquajturi mobilizim i trupave në gadishullin e aneksuar ka përfunduar. Por një udhëheqës i të drejtave të njeriut që mbështet tartarët indigjenë të Krimesë, i cili ka pranuar të flasë vetëm ne kushtet e anonimatit, thotë se njoftimet për rekrutim vazhdojnë ende.
“Sipas asaj që më kanë thënë, thirrjet për luftë po u dërgohen njerëzve në shtëpi. Njerëzit e dine se jo cilido që u troket në derë është një mik, ndaj jo të gjithë e hapin derën. Por autoritetet po shtiren sikur janë njerëz në nevoje dhe sapo dera hapet, lëshohet thirrja për luftë”, thotë aktivisti për të drejtat e njeriut.
Rekrutimin për luftë i tartarëve, një grup mysliman indigjen në Krime, e konfirmon edhe Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
“Situata në Krimenë e aneksuar është katastrofike. Informacionet se tartarët e Krimesë po rekrutohen janë plotësisht të konfirmuara. Shumica e thirrjeve që po lëshohen atje po u jepen tartarëve të Krimesë”, tha Presidenti Zelenski.
Aktivistë të të drejtave të njeriut po u bëjnë thirrje njerzve të injorojnë thirrjet, të mos paraqiten para komisariateve ushtarake dhe nëse është e mundur, të largohen.
“E mira është të shmangen grumbullimet publike për të mos rënë pre e komisariateve ushtarake ruse. Ka linja të kuqe, përfshirë edhe ato të Shëbimeve të Sigurisë së Ukrainës, që i mundësojnë njerëzve që përfundojnë në vijën e parë të frontit, të telefonojnë dhe të gjejnë një mënyrë për t'u dorëzuar”, thotë Serhiy Parkhomenko, nga qendra e burimeve të tartaravë të Krimesë.
Shumë tartarë të Krimesë po përpiqen të largohen nga gadishulli, sa e kanë ende këtë mundësi.
“Meshkujt e moshës nga 18-50 vjeç po përpiqen të ikin. Ata që kanë para dhe kontakte kanë tentuar të ikin jashtë, përmes Gjeorgjisë ose Kazakistanit”, shpjegoi në kushtet e anonimatit aktivisti për të drejtat e njeriut, tartar i Krimesë.
Anëtarë nga Qendra e Burimeve të Tartaravë të Krimesë besojnë se i ashtuquajturi mobilizim i pjesshëm i Rusisë është një mënyrë për të shkatërruar lëvizjen e rezistencës së tatarëvë në Gadishullin e Krimesë.
“Rusia po kërkon të shkatërrojë tartarët e Krimesë duke përdorur Ukrainën. Kjo është mënyra më e volitshme për ta. Ata i dërgojnë tartarët në vijat e para, në vendet më të rrezikshme”, thotë Serhiy Parkhomenko, nga qendra e burimeve të tartarave të Krimesë
Mbetet e paqartë, se sa është numri i njerëzve të rekrutuar në Krime. Por aktivistë ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut këmbëngulin se vetë akti i rekrutimit është i paligjshëm.
“Rusia është e detyruar të respektojë konventat e Gjenevës në të cilat është palë. Dhe ndër këto konventa është rregulli se një fuqie pushtuese nuk i lejohet të rekrutojë njerëz në zonat që po pushton”, thotë Rachel Denber, zëvendës drejtore e Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Përfaqësues të kësaj organizate dhe grupe të tjera po dokumentojnë këtë akt dhe si edhe të tjera krime lufte, të mundshme të ndërmarra nga Rusia.