Lidhje

Iran: Katër të vrarë nga zjarri në një burg në Teheran


Një zjarr i madh në një burg famëkeq në Teheran ku mbahen të burgosur politikë dhe aktivistë antiqeveritarë shkaktoi vdekjen e katër të burgosurve, tha të dielën gjyqësori i vendit.

Skenat dramatike nga burgu janë përhapur gjerësisht mediat sociale iraniane.

Flakët dhe tymi i dendur që dilnin nga burgu Evin i Teheranit ishin të dukshme mbrëmjen e së shtunës, ndërsa protestat antiqeveritare mbarëkombëtare të shkaktuara nga vdekja e një gruaje të re në paraburgim policor hynë në javën e pestë. Në videot e përhapura në internet dëgjoheshin të shtëna armësh dhe shpërthime në zonën e burgut.

Zjarri u shua pas disa orësh dhe asnjë i arrestuar nuk u arratis, tha media shtetërore.

Autoritetet janë përpjekur t’i paraqesin ngjarjet në burg si të shkëputura nga protestat e vazhdueshme, ndërsa media shtetërore ka dhënë shpjegime kontradiktore për dhunën. Qindra vetë po mbahen në Evin, ku grupet e të drejtave të njeriut kanë raportuar për abuzime të përsëritura të të burgosurve.

Media shtetërore fillimisht njoftoi se nëntë persona u plagosën, por faqja e internetit e lidhur me gjyqësorin Mizan.news tha të dielën se katër të burgosur vdiqën nga thithja e tymit dhe 61 të tjerë u plagosën. Ai tha se të katër ata që vdiqën ishin në burg me dënime për vjedhje.

Dhjetë të burgosur u shtruan në spital, katër prej të cilëve në gjendje të rëndë, raportoi Mizan. Faqja njoftonte se disa të burgosur ishin përpjekur të arratiseshin por nuk ia dolën.

Televizioni shtetëror transmetoi të dielën një video që pretendon të tregojë pasojat e zjarrit në muret dhe tavanet e djegura në një dhomë ku thuhej se ishte kati i sipërm i një rrobaqepësije në burg.

"Ky zjarr u shkaktua nga një përleshje midis disa të burgosurve në një rrobaqepësi," tha guvernatori i Teheranit Mohsen Mansouri. "Ajo ishte krijuar për të hapur vende pune" për të burgosurit, tha ai.

Postimet në mediat sociale iraniane kundërshtuan pretendimet e medias shtetërore mbi shkakun e zjarrit.

Një ish e burgosur e Evin dhe Aktivistja e të drejtave Atena Daemi, që ka qenë e burgosur në Evin vuri në dukje të dielën në Twitter se normalisht, të gjithë të burgosurit dërgohen në qelitë e tyre dhe punishtet mbyllen në perëndim të diellit.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA njoftoi të shtunën se pati përleshje midis disa të burgosurve dhe personelit të burgut, duke cituar një zyrtar të lartë të sigurisë. Zyrtari tha se të burgosurit i vunë flakën një magazine plot me uniforma burgu, gjë që shkaktoi zjarrin. Ai tha se "rebelët" u ndanë nga të burgosurit e tjerë për të qetësuar situatën.

Zyrtari tha se "situata është plotësisht nën kontroll" dhe se zjarrfikësit po shuanin flakët. Më pas, prokurori i Teheranit Ali Salehi tha se në burg ishte kthyer qetësia dhe se trazirat nuk kishin lidhje me protestat që kanë përfshirë vendin për katër javë.

Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran me qendër në SHBA, njoftoi se një "konflikt i armatosur" shpërtheu brenda mureve të burgut. Ky pohim nuk mundi të vërtetohej menjëherë.

Pamjet e zjarrit qarkulluan në internet dhe menjëherë më pas, shpërtheu një protestë në rrugë, ku shumë vetë brohorisnin "Vdekje diktatorit!" — një referencë për Udhëheqësin Suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Zjarr në burg ndodhi ndërsa protestuesit intensifikuan demonstratat antiqeveritare përgjatë rrugëve kryesore dhe në universitete në disa qytete anembanë Iranit të shtunën. Monitoruesit e të drejtave të njeriut raportuan qindra të vdekur, duke përfshirë fëmijë, ndërsa lëvizja hyri në javën e saj të pestë.

Protestat shpërthyen pas zemërimit publik për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim nga policia. Ajo u arrestua nga policia morale e Iranit në Teheran për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike. Qeveria e Iranit këmbëngul se Amini nuk u keqtrajtua në paraburgim nga policia, por familja e saj thotë se trupi i saj kishte mavijosje dhe shenja të tjera të rrahjes pasi u ndalua.

Të dielën, Parlamenti i Iranit publikoi një deklaratë me pretendimin se Amini nuk vdiq nga ndonjë goditje fizike, por se ajo u rrëzua dhe policia priti shumë gjatë para se të kërkonte trajtim për të. Familja e Aminin hodhi poshtë një raport zyrtar të mjekut që pretendonte gjithashtu se ajo nuk vdiq nga ndonjë goditje fizike apo rrahje.

Presidenti Joe Biden tha të shtunën se "qeveria iraniane është shumë shtypëse" dhe se ai kishte "respect të madh për njerëzit që marshonin në rrugë."

XS
SM
MD
LG