Lidhje

Sulm me raketë ndaj një objekti kyç energjetik në Ukrainë


Një sulm me raketë ka dëmtuar rëndë një objekt kyç energjetik në rajonin e kryeqytetit të Ukrainës.

Guvernatori i rajonit të Kievit tha se nuk kishte viktima ose të plagosur nga sulmi i së shtunës.

Operatori i sistemit energjetik të vendit tha se ekipet e riparimit po punonin për të rivendosur energjinë, por paralajmëroi banorët për ndërprerje të mundshme.

Ushtria ruse u përpoq të ndërpresë ujin dhe energjinë elektrike në zonat e populluara të Ukrainës këtë javë pasi një shpërthim kamioni bombë dëmtoi urën që lidh Rusinë me gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Rajonet e Ukrainës jugore që presidenti rus Vladimir Putin i deklaroi në më mënyrë të paligjshme si territor rus muajin e kaluar mbetën në qendër të luftimeve të shtunën.

Sulmet e zgjeruara të kësaj jave goditën ndërtesat e banimit, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra vetëve, si dhe infrastrukturën civile si stacionet e energjisë pranë Kievit dhe qytete të tjera larg vijës së parë të frontit.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se Moska nuk sheh nevojën për sulme masive shtesë, por se ushtria e tij do të vazhdojë sulme rast pas rasti. Ai tha se nga 29 objektiva që ushtria ruse kishte planifikuar të shkatërronte në sulmet e kësaj jave, shtatë nuk u dëmtuan dhe do të eliminoheshin gradualisht.

Instituti për Studimin e Luftës, një institut me qendër në Uashington, i interpretoi komentet e presidentit Putin si përgjigje ndaj kritikave të blogerëve rusë pro luftës, të cilët "vlerësuan kryesisht rifillimin e sulmeve kundër qyteteve ukrainase, por paralajmëruan se një fushatë e shkurtër do të ishte joefektive."

XS
SM
MD
LG