Ndërsa sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon, republikat e tjera të vogla ish-sovjetike e shohin me shpresë përparimin e ushtrisë ukrainase, por edhe me shqetësim. Frika se Rusia një ditë do t’u drejtohet edhe atyre është e dukshme dhe ka çuar në mobilizimin e shoqërisë civile, si në rastin e grupit vullnetar Lidhja e Mbrojtjes së Estonisë.
Mes tyre është Karin Laurima, punonjëse në bankë, nënë e nja vajze 13-vjeçare dhe në katër vitet e fundit edhe vullnetare e Lidhjes së Mbrojtjes së Estonisë. Grupi i vullnetarëve estonezë stërviten ushtarakisht me qëllim që të mbështesin ushtrinë e Estonisë në rast nevoje.
Ata mësojnë se si duhet të reagojnë në rast të një pushtimi të mundshëm.
“Kam zbuluar se jam në gjendje të bëj shumë më tepër nga ç'mendoja. U bëra pjesë e Lidhjes së Mbrojtjes të Estonisë. Di se si duhet të veproj në pyll dhe di të përdor shumë mirë armën”, thotë Karin Laurima, vullnetare.
Sot vullnetarët po përdorin për herë të parë armët, automatikë të prodhuar në Amerikë. Pasi të zotërojnë mirë përdorimin e tyre, mund ta marrin atë në shtëpi, një masë që synon një reagim të shpejtë ndaj një sulmi të mundshëm të armikut. Kjo prakikë thonë se ka të bëjë me taktikat e mësuara nga vëzhgimi për së largu i ushtrisë ukrainase.
“Mendoj se fjala e duhur është përgatitje. Kemi parë se ushtria ukrainase është përgatitur shumë mirë, me disa parime kyçe për të reaguar në mënyrë profesionale”, thotë togeri Martin Link, nga Lidhja e Mbrojtjes së Estonisë.
Estonia është një vend me më pak se një milion e gjysmë banorë dhe numri i forcave të armatosura është shumë i ulët, afro 7000 mijë. Në një përballje të mundshme me Rusinë, kapacitetet e saj do të ishin shumë të kufizuara.
Por, pasi forcat ruse sulmuan Ukrainën, numri i vullnetarëve u rrit në pothuajse 30 mijë.
"Lidhja e Mbrojtjes së Estonisë” është një organizatë ushtarake me bazë vullnetare sepse vullneti i popullit është i rëndësishëm. Mundësohet stërvitja, por baza është vullneti”, thotë togeri Martin Link.
Shumë e shohin anëtarësimin e Estonisë në NATO si një garanci në rast të një sulmi të mundshëm nga Rusia. Pavarësisht kësaj, burimet ushtarake estoneze thonë se e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë e fqinjëve të Rusisë është duke mundur Moskën dhe duke i dhënë fund politikës së saj të agresionit.
"Është shumë e thjeshtë. Ukraina duhet të fitojë luftën. Sepse përndryshe rusët, do të kenë kohë për t’u përgatitur për sulmin e radhës. Dhe pre e këtij sulmi mund të jetë Moldavia, apo çdo vend tjetër", thotë major Neeme Brus nga Lidhja e Mbrojtjes së Estonisë.
Ndërsa e ardhmja e Evropës vendoset në Ukrainë, Laurima dhe 30 mijë vullnetarë të tjerë estonezë po stërvitën çdo fundjave - për një ditë që të gjithë shpresojnë se nuk do të vijë kurrë.