Lidhje

Rusia plane për të evakuuar banorët e Khersonit mes përparimit të forcave ukrainase


Kherson region
Kherson region

Rusia u ka premtuar strehim falas banorëve të rajonit pjesërisht të pushtuar prej saj, Khersonit, një shenjë se përparimi i forcave ushtarake ukrainase përgjatë frontit jugor të luftës, ka shqetësuar Kremlinin.

Khersoni është një nga katër rajonet që u aneksua në mënyrë të paligjshme nga presidenti rus Vladimir Putin muajin e kaluar. Udhëheqësi i instaluar nga Moska i këtij rajoni, Vladimir Saldo, i kërkoi Kremlinit të organizonte një evakuim nga katër qytete, duke përmendur si arsye sulmet e pandërprera me artileri nga forcat ukrainase.

Zoti Saldo tha se ishte marrë vendim për të evakuuar banorët e Khersonit në rajonet ruse të Rostovit, Krasnodarit, Stavropolit, si dhe në Gadishullin e Krimesë, aneksuar nga Moska në vitin 2014.

Kremlini thotë se zhvendosja e ukrainasve në Rusi ose në territorin e kontrolluar prej saj, bëhet mbi baza vullnetare, por në shumë raste kjo është rruga e vetme që u ofrohet banorëve të zonave të pushtuara.

Sipas disa njoftimeve, një numër ukrainasish janë dërguar me forcë në të ashtuquajturat "kampet filtrimi", ku merren në pyetje dhe mbahen në kushte të vështira. Po kështu sipas një hetimi të agjencisë ‘Associated Press’ zyrtarët rusë kanë deportuar me mijëra fëmijë ukrainas në Rusi, një pjesë e tyre jetimë.

Ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë kundërsulmin në lindje dhe jug të vendit për të rimarrë rajonet e pushtuara, trupat ruse janë tërhequr nga disa zona që morën nën kontroll menjëherë pas fillimit të sulmit më 24 shkurt.

Përparimet e Ukrainës në terren dhe shpërthimi më 8 tetor i një ure kyçe që lidh Rusinë me Krimenë, kanë nxitur kritika të brendshme mbi mënyrën se si po e menaxhon Kremlini luftën, si dhe kanë rritur trysninë ndaj Presidentit Putin, për të bërë më shumë për të ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve në front në favor të Rusisë.

XS
SM
MD
LG