Lidhje

Korea e Veriut lëshon raketë; dërgon avionët pranë kufirit


 Njerëzit duke ndjekur lajmet për raketën në stacionin hekurudhor të Seulit, Kore e Jugut (13 tetor 2022)
Njerëzit duke ndjekur lajmet për raketën në stacionin hekurudhor të Seulit, Kore e Jugut (13 tetor 2022)

SEUL, Kore e Jugut - Korea e Veriut lëshoi të premten një raketë balistike me rreze të shkurtër drejt ujërave të saj lindore dhe nisi avionë drejt kufirit me Korenë e Jugut, njoftoi ushtria koreanojugore. Po rriten kështu tensionet e shkaktuara nga disa valë testimesh raketash nga Korea e Veriut.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut njoftoi nëpërmjet një deklarate se raketa u nis nga rajoni i kryeqytetit të Koresë së Veriut në orën 1:49 sipas orës lokale.

Deklarata thotë se Korea e Jugut ka rritur kapacitetet vëzhguese dhe po koordinon nga afër me Shtetet e Bashkuara gjendjen e gatishmërisë së saj ushtarake.

Edhe Ministria e Mbrojtjes e Japonisë dhe zyra e kryeministrit japonez shkruajtën në Twitter se Korea e Veriut ka lëshuar një raketë të mundshme.

Ky është më i fundit në një seri lëshimesh raketash nga Korea e Veriut gjatë javëve të fundit. Korea e Veriut tha të enjten se udhëheqësi Kim Jong Un mbikqyri lëshimin e raketave me rreze të gjatë, për të cilat ai tha se demonstruan me sukses kapacitetet në rritje të ushtrisë koreanoveriore për sulme bërthamore.

Korea e Veriut tha të hënën se provat e saj me raketa gjatë dy javëve të fundit ishin simulime të sulmeve bërthamore ndaj objektivave kyçe në Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara. Korea e Veriut tha se provat kishin për qëllim të lëshonin një paralajmërim për Seulin dhe Uashingtonin për organizimin e stërvitjeve"të rrezikshme" të përbashkëta detare, që përfshinin një aeroplanmbajtëse amerikane.

Lëshimet e raketave nga Korea e Veriut, pjesë e provave të saj rekord të këtij viti, u panë si përpjekje të zotit Kim për të përftuar një arsenal më frikësues për të ushtruar presion ndaj rivalëve të Koresë së Veriut, që ta pranojnë vendin e tij si një shtet legjitim bërthamor dhe që të heqin sanksionet ekonomike.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha gjithashtu në një deklaratë se Korea e Veriut kishte dërguar avionë luftarakë pranë kufirit të enjten vonë dhe herët të premten, duke e shtyrë Korenë e Jugut të niste avionët e saj luftarakë.

Avionët e Koresë së Veriut fluturuan deri në 12 kilometra në veri të kufirit ndër-korean. Shtabi i përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se u përgjigj duke nisur avionë F-35 dhe avionë të tjerë luftarakë.

Nuk pati raportime për përplasje. Një incident i ngjashëm ndodhi në fillim të këtij muaji, por ishte ende e pazakontë që Koreja e Veriut të dërgonte avionët e saj luftarakë pranë kufirit. Gjithashtu, në fluturimin e mëparshëm të këtij muaji, avionët luftarakë të Koresë së Veriut udhëtuan shumë më larg nga kufiri, krahasuar me trajektoret e tyre të enjten dhe të premten.

Ushtria e Koresë së Veriut lëshoi gjithashtu një deklaratë herët të premten duke akuzuar Korenë e Jugut për goditje me artileri për rreth 10 orë pranë kufirit të enjten. Ajo nuk tha nëse zjarri i artilerisë ishte një stërvitje apo goditje ndaj Koresë së Veriut. Ushtria e Koresë së Veriut tha se mori në përgjigje "kundërmasa të forta ushtarake" të paspecifikuara.

"Ushtria Popullore e Koresë së Veriut i dërgon një paralajmërim të ashpër ushtrisë së Koresë së Jugut që nxit tensione ushtarake në zonën e frontit me veprime të pamatura", tha një zëdhënës i paidentifikuar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore Koreane në një deklaratë të transmetuar nga Agjencia zyrtare Qendrore Koreane e Lajmeve, KCNA.

Zyra e marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Mbrojtjes së Koresë së Jugut tha se nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm.

Pas provave me raketa të së mërkurës, Kim Jong Uni vlerësoi gatishmërinë e forcave të tij luftarake bërthamore, të cilat ai tha se ishin plotësisht të përgatitura për "luftë reale për të sjellë armiqtë nën kontrollin e tyre me goditje" nga sisteme të ndryshme armësh që janë "të lëvizshme, të sakta dhe të fuqishme”, njoftoi KCNA-ja.

Zoti Kim tha se testet dërgojnë "një paralajmërim tjetër të qartë për armiqtë" dhe u zotua të zgjerojë më tej sferën operacionale të forcave të tij të armatosura bërthamore për të "frenuar me vendosmëri çdo krizë vendimtare ushtarake dhe krizë lufte në çdo kohë dhe për të marrë plotësisht iniciativën", tha KCNA-ja.

XS
SM
MD
LG