Shtëpia e Bardhë parashtroi të mërkurën strategjinë mbi sigurinë kombëtare, e cila synon të kontrollojë ndikimin në rritje të Kinës e një Rusie më të vendosur, por duke vënë theksin tek investimet e brendshme, si thelbësore për të ndihmuar vendin që të konkurrojë në dekadën e ardhshme.
Strategjia e parë e administratës për sigurinë kombëtare, thekson nevojën për një politikë të jashtme që balancon interesat e aleatëve botërore me ato të amerikanëve që përfaqësojnë klasën e mesme.
“Ne e kuptojmë se nëse Shtetet e Bashkuara duan të kenë sukses jashtë vendit, duhet të investojmë tek risitë e forca jonë industriale dhe të ndërtojmë aftësitë tona ripërtëritëse në vend”, thuhet në strategji. “Po kështu, për të siguruar përparim të mëtejshëm brenda vendit dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë amerikanëve, na duhet të formësojmë në mënyrë proaktive rendin ndërkombëtar në përputhje me interesat dhe vlerat tona”.
Në vija të trasha, strategjia parashtron një "moment vendimtar" për sigurinë kombëtare, në një kohë kur Presidenti Joe Biden përballet me një botë ndoshta më të komplikuar sesa kur mori detyrën 21 muaj më pare, në mes të pandemisë më të rëndë botërore në një shekull. Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë tha se hartuesit e politikave duhet "të shmangin tundimin për ta parë botën vetëm përmes një thjerre konkurruese dhe të angazhojnë vendet sipas kushteve të tyre".
Zoti Biden erdhi në detyrë duke mbrojtur qasjen për një "politikë të jashtme që shkon në favor të klasës së mesme" që kërkon të përqendrohet më shumë tek Kina, si një konkurrente në rritje ekonomike dhe ushtarake, të rigjallëronte aleancat që ishin shkatërruar gjatë administratës Trump dhe të mbronte të drejtat e njeriut, të gjitha parë në funksion të interesave amerikane.
Zyrtarët e administratës thonë se përqëndrimi tek interesat e SHBA-ve mbetet qendror për vizionin e politikës së jashtme të zotit Biden. Por dokumenti i ri i strategjisë pasqyron gjithashtu listën e gjatë të krizave që e kanë bërë botën të përballet me sfida të përbashkëta, përfshirë ndryshimet klimatike, pasiguria ushqimore, sëmundjet ngjitëse dhe inflacioni.
"Ne kemi thyer vijën ndarëse mes politikës së jashtme dhe asaj të brendshme për të bërë investime të gjera në vend, në infratrukturën tonë industriale e të risive, çka do të forconte aftësitë tona konkurruese e do të na poziciononte më mirë për të trajtuar gjithçka, nga klima tek çështje të shëndetit global, siguria ushqimore dhe energjia”, tha Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan.
Në dokument theksohet domosdoshmëria për të konkurruar në mënyrë efektive me Kinën, për të cilën administrata thotë se është konkurrenti i vetëm që ka synimin e gjithnjë e më shumë, aftësinë për të ndryshuar rendin ndërkombëtar.
"Në gjithë botën, nevoja për një rol udhëheqës amerikan është më e madhe se çdo herë. Ne jemi në mes të një konkurrence strategjike për të formësuar të ardhmen e rendit ndërkombëtar", shprehet zoti Biden në hyrje të dokumentit. "Ndërkohë, sfidat e përbashkëta që ndikojnë tek njerëzit kudo, kërkojnë rritje të bashkëpunimit global dhe kombet që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në një moment kur kjo është bërë më e vështirë”.