Lidhje

NATO-ja thotë se vendet e aleancës po marrin masa për mbrojtjen e infrastrukturës


NATO-ja tha të martën se do të përballonte sulmet e mundshme ruse ndaj infrastrukturës kritike të aleatëve me një "përgjigje të bashkuar dhe të vendosur”, si edhe se vendet anëtare po rrisin sigurinë rreth objekteve të tyre kritike.

Aleanca tha gjithashtu se po vëzhgonte nga afër forcat bërthamore të Rusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se megjithëse aleanca e mbrojtjes nuk kishte parë ndonjë ndryshim në pozicionin bërthamor të Rusisë, ajo ishte vigjilente dhe do të vazhdonte me planet për një stërvitje të gatishmërisë bërthamore javën e ardhshme.

NATO do të mbrojë të gjithë aleatët - Jens Stoltenberg

"Tani është momenti i duhur për të qenë të vendosur dhe për të qenë të qartë se NATO do të mbrojë të gjithë aleatët. Do të ishte një sinjal shumë i gabuar nëse për shkak të luftës në Ukrainë ne do të anulonim befas një stërvitje rutinë, të planifikuar prej kohësh”, tha zoti Stoltenberg.

Ai i referohej stërvitjes vjetore "Steadfast Noon", në të cilën forcat ajrore të NATO-s praktikojnë përdorimin e bombave bërthamore të SHBA-së me bazë në Evropë me fluturime stërvitore, pa armë aktive.

Zoti Stoltenberg tha se forca ushtarake e NATO-s ishte mënyra më e mirë për të parandaluar çdo përshkallëzim të tensioneve me Rusinë, e cila ka bërë kërcënime për përdorimin e armëve bërthamore kundër Ukrainës.

Zoti Stoltenberg u zotua gjithashtu të rrisë mbrojtjen e infrastrukturës kritike në përgjigje të sulmit ndaj sistemit të gazsjellësve Nord Stream, duke thënë se NATO-ja tashmë kishte dyfishuar praninë e saj në Detin Baltik dhe atë të Veriut duke e çuar në mbi 30 numrin e anijeve të mbështetura nga avionët dhe aktivitetet nënujore.

"Ne do të rrisim më tej mbrojtjen e infrastrukturës kritike në dritën e sabotimit të gazsjellësve Nord Stream," tha ai.

Mbetet e paqartë se kush ishte pas sulmit.

XS
SM
MD
LG