Sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut sulmet e Rusisë në Ukrainë gjatë dy ditëve të fundit që kanë goditur kryesisht objeke civile, mund të përbëjnë krime lufte. Zëdhënësja e kësaj zyre, Ravina Shamdasani tha se sulmet ndaj zonave civile janë tronditëse. Presidenti ukrainas Zelensky pritet t’iu kërkojë udhëheqësve të 7 vendeve më të industrializuara armë të mbrojtjes ajrore.
Rusia mund të ketë kryer krime lufte gjatë sulmeve me një mori raketash në qytetet e Ukrainës duke vrarë civilë dhe duke shkaktuar ndëprerje të energjisë dhe ngrohjes, tha zëdhënësja e Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Raketat ranë në kryqëzime rrugësh, parqe dhe zona turistike në kryeqytetin Kiev. Shpërthime u raportuan edhe në Lviv, Ternopil dhe Zhytomyr në Ukrainën perëndimore, Dnipro dhe Kremenchuk në qendër, Zaporizhzhia në jug dhe Kharkiv në lindje.
“Sulmet kundër civilëve dhe objekteve jetike për mbijetesën e civilëve, janë të ndaluara në bazë të ligjeve humanitare ndërkombëtare. Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse të mos i përshkallëzojë ato më tej dhe të marrë masa të shmangë viktimat në radhët e popullsisë civile dhe të mos godasë infrastrukturën civile”, tha zëdhënësja e Komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Ajo tha se së paku 12 civilë janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë lënduar.
Vendndodhja, koha e sulmeve, kur njerëzit po udhëtonin për në punë dhe çonin fëmijët në shkollë, është veçanërisht tronditëse
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u kërkoi të martën udhëheqësve të grupit të 7 vendeve më të industrializuara të botës G7 që ta furnizojnë urgjentisht Ukrainën me armë të mbrojtjes ajrore.
Presidenti Biden gjatë bisedës telefonike që pati mbrëmë me presidentin Zelensky u zotua të vazhdojë t'i japë Ukrainës mbështetjen e nevojshme për t'u mbrojtur, duke përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se Moska ishte e hapur për bisedime me Perëndimin mbi konfliktin e Ukrainës, por ende nuk kishte marrë ndonjë propozim serioz për të negociuar.
“E kemi thënë shumë herë, që nuk i refuzojmë kurrë takimet. Dhe nëse ka një ofertë, atëherë ne do ta shqyrtojmë atë. Rusia është e gatshme të angazhohej me Shtetet e Bashkuara ose me Turqinë për mënyrat për t'i dhënë fund operacionit special ushtarak”, tha zoti Lavrov gjatë intervistës me televizionin shtetëror rus. Reuters Video
Deklarata e ministrit Lavrov për gatishmërinë e Rusisë për bisedime po bëhet pas një sërë humbjesh të forcave ruse në front nga fillimi i shtatorit, kur kundërofensiva e forcave ukrainase arriti çlirimin e disa territoreve të pushtuara.