Organi më i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut mori sot vendim të emërojë një ekspert të pavarur për të intensifikuar më tej shqyrtimin e çështjeve që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut në Rusi.
Vendimi vjen mes rritjes së arrestimeve arbitrare, goditjes së zërave kundërshtarë e kufizimeve ndaj fjalës së lirë, për shkak të luftës në Ukrainë.
Propozimi i miratuar me 17 vota pro, 6 kundër dhe 24 abstenime, u paraqit në Këshillin e të Drejtave të Njeriut javën e kaluar nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me përjashtim të Hungarisë. Pak para votimit në Gjenevë, grupi rus i të drejtave të njeriut ‘Memorial’, u shpall bashkëfitues i çmimit Nobel për Paqen për vitin 2022.
Në propozim paraqitej shqetësimi për mbylljet masive e të detyruara të mediave të pavarura, organizatave joqeveritare dhe grupeve opozitare në Rusi.
Eksperti i posaçëm do të shqyrtojë rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi, duke u mbështetur pjesërisht në ndihmën e grupeve dhe aktivistëve rusë, që ndodhen brenda, apo jashtë Rusisë.
Më parë Këshilli caktoi një Komision Hetimor, niveli më i lartë i kontrollit që ushtron ky organ i OKB-së, për të trajtuar çështjet e abuzimit me të drejtat e njeriut të lidhura me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Qeveria ruse ka ndërmarrë një sërë masash për t’iu kundërvënë kundërshtimeve të brendshme lidhur me luftën, përfshirë miratimin e një ligji që i konsideron vepra penale përhapjen e atyre që i quan lajme të rreme në raport me ushtrinë ruse.
Deri në fillim të këtij viti Rusia ishte anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, por ajo e pezulloi pjesëmarrjen e saj në këtë organ ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së po ndërmerrte hapa t'i hiqte statusin e vendit anëtar, për shkak të sulmit në Ukrainë.
E premtja shënoi ditën e fundit të seancës së vjeshtës për Këshillin. Një ditë më parë, vendet anëtare hodhën poshtë një propozim, të paraqitur fillimisht nga Shtetet e Bashkuara si dhe disa vende të tjera perëndimore, për zhvillimin e një debati mbi dyshimet për abuzim me të drejtat e njeriut në rajonin perëndimor të Kinës, në Xinjiang.