Lidhje

Presidenti Biden paralajmëron Iranin se do të përballet me kosto për shtypjen e protestave


Në Iran vazhdojnë protestat, ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë se do të vendosin "kosto të mëtejshme" ndaj Teheranit për shtypjen vdekjeprurëse ndaj tyre.

Protestat në Iran filluan pas njoftimit për vdekjen e 22 vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, disa ditë pasi policia famëkeqe e moralit e arrestoi atë nën dyshimet se kishte shkelur rregullat për mbajtjen e hixhabit dhe nuk mbante veshje modeste.

Vdekja e saj ka shkaktuar valën më të madhe të protestave që trondit Iranin në pothuajse tre vjet, ndërsa përpjekjet për shtypjen e tyre kanë shkaktuar vrasjen e dhjetra vetëve dhe arrestimin e mbi një mijë protestuesve.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të hënën se “këtë javë, Shtetet e Bashkuara do të vendosin kosto të mëtejshme për autorët e dhunës kundër protestuesve paqësorë."

"Ne do të vazhdojmë t'i mbajmë zyrtarët iranianë përgjegjës dhe të mbështesim të drejtat e iranianëve për të protestuar lirisht", tha ai.

Presidenti amerikan tha se ishte "shumë i shqetësuar" nga njoftimet për intensifikimin e shtypjes së protestuesve dhe tha se Uashingtoni qëndron në krah “të të gjithë qytetarët e Iranit që po frymëzojnë botën me guximin e tyre".

Zoti Biden nuk tha konkretisht se çfarë masash po merrte në konsideratë. Irani është tashmë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të lidhura kryesisht me programin bërthamor. Sanksionet e fundit kanë përfshirë përgjigje ndaj aktiviteteve kibernetike të Teheranit, përfshirë sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë.

Irani akuzoi të martën udhëheqësin amerikan për "hipokrizi”.

"Do të kishte qenë më mirë që zoti Joe Biden të mendonte për të drejtat e njeriut në vendin e tij përpara se të bënte gjeste humanitare," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanani.

XS
SM
MD
LG