Lidhje

Shqipëri, abortet në moshë të hershme nxisin debatet mbi edukimin seksual


Shqipëri, abortet në moshë të hershme nxisin debatin mbi edukimin seksual
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:08 0:00

Shqipëri, abortet në moshë të hershme nxisin debatin mbi edukimin seksual

Në Shqipëri abortet në moshën e adoleshencës kanë nxitur diskutime mbi çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Mjekë specialistë parashtrojnë dyshimet ndaj shifrave në ulje të aborteve të grupmoshëns 15-19 vjeç, pasi mendojnë se ato që kryhen në institucionet shëndetësore private nuk raportohen. Vëmendje po i kushtohet edhe edukimit seksual në shkolla, për të cilin ekspertët mendojnë se ka vend për përmirësime në drejtim të kurikulave, trajnimit të mësuesve, forcimit të rolit të prindërve dhe monitorimit. Ndërsa mjekët nxisin idenë e takimeve me nxënës në shkolla, për t’i njohur ata me pasojat e aborteve në moshë të hershme.

Në Shqipëri ka një shqetësim në rritje mbi shëndetin seksual dhe riprodhues në grupmoshën 15-19 vjeç. Një prej problemeve të mprehta me rrezik për shëndetin e vajzave, për ekspertët dhe mjekët, lidhet me abortin në këtë gurpmoshë. Sipas statistikave zyrtare ato zënë një përqindje të ulët me 0.4% të totalit të aborteve në vend, dhe kanë rënë me rreth 80% krahasuar me një dekadë më parë, nga 94 në 20 aborte në vit, por këto të dhëna bazohen vetëm nga raportimet e institucioneve shëndetësore publike. Mjekë specialistë të fushës mendojnë se shifrat mund të jenë më të larta, për shkak të mosraportimit të aborteve që kryhen në institucione shëndetësore private, më të shumta në numër gjatë viteve të fundit, si dhe metodave të reja përmes tabletave.

“Në lidhje me abortin në moshën 15-19 vjeç, për ne si mjekë situata nuk është e kthjellët. Informacioni është rastësor, pasi ne mendojmë se një pjesë e madhe e rasteve, nisur dhe nga numri i madh i klinikave private dhe mënyrat e reja të abortit me tableta, kalojnë pa u regjistruar. Situata mund të jetë më e thellë se sa paraqitet”, tha për Zërin e Amerikës Enkeleda Prifti, mjeke obstetër gjinekologe.

Kufiri minimal i moshës së lejuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale në Shqipëri është 14 vjeç. Studiues të shëndetit riprodhues dhe përfqësues të shoqërisë civile, mendojnë se mënyra më e mirë për parandalimin e aborteve në adoleshencë është edukimi seksual përmes shkollës dhe familjes.

Autoritetet zyrtare thonë se edukimi në shkollë bazohet në disa eksperienca perëndimore. Ai fillon me konceptet për riprodhimin në moshën 7 -11 dhe përparon më tej deri në moshën 18 vjeçare përmes lëndëve të biologjisë, qytetarisë dhe edukimit fizik.

Nxënësit, sipas zyrtararëve, marrin njohuri të mjaftueshme mbi fertilitetin, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, abortin etj. Por disa nxënës të një shkolle të mesme në Tiranë dhanë opinione të ndryshme për Zërin e Amerikës, nëse janë të mjaftueshme dijet që marrin sipas kësaj metode, dhe nëse janë ende tabu këto çështje.

“Njohuritë mbi edukimin seksual, i marrim më së shumti në biologji, por nuk besoj se ëshë e mjaftueshme. Fëmijët duhet të edukohen më herët. Kjo është një temë shumë e rëndësishme në jetën e përditshme, dhe nuk mendoj se mesohet herët mjaftueshëm”, tha për Zërin e Amerikës një vajzë në shkollë të mesme.

“Është mjaftueshëm, mesa di unë ka patur programe për edukimin seksual që në shkollë fillore dhe 9-vjeçare”, u shpreh një tjetër nxënëse në shkollë të mesme.

“Të mjaftueshme janë njohuritë sepse i marrim përmes lëndës së biologjisë”, tha një nxënëse tjetër.

“Marrim informacion mjaftueshëm, në rregull janë të gjitha”, tha një djalë në një prej gjimnazeve të Tiranës.

“Shumica mund të kenë turp, por nuk është turp të mësosh për jetën”, u shpreh një gjimaziste.

“Njohuritë i marrim më shumë në lëndën e biologjisë dhe në aspektin shkencor, nuk futet në edukim më të thellë, që besoj se shkollave iu mungon. Duhet të ketë më shumë informacion rreth masave mbrojtëse. Konsiderohet ende diçka e turpshme. Adoleshentët kanë shumë pak informacion në lidhje me këto tema”, vijoi një nxënëse e shkollës së mesme.

Këta nxënës kërkuan të mbeten anonimë, gjë që gjithashtu tregon se të flasësh sot hapur për edukimin seksual mbetet ende tabu. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se njohuritë mbi edukimin seksual dhe riprodhues në shkolla, rishihen në vijimësi me qëllim përmirësimin e tyre. Edhe pse ekziston një modul me zgjedhje, pra një lëndë pa vlerësim me notë, përqendrimi kryesor për autoritetet mbetet marrja e njohurive për edukimin seksual, përmes kryqëzimit të kurikulave në disa lëndë.

Sipas autoriteteve, ndërgjegjësimi i shoqërisë për trajtimin e këtyre temave është rritur, por në zonat rurale realiteti është ndryshe dhe ende mbetet punë për të bërë.

“Ne kemi krijuar rrjetin e mësuesve që i dedikohen kësaj tematike. Me rrjetin e mësuesve nënkuptojmë rrjetet profesionale në çdo qytet të cilët diskutojnë tematikat që zhvillojnë me fëmijët dhe mënyrën se si do ta vlerësojnë. Nga ana tjetër, trajnimi është i vazhdueshëm. Por nuk është vetëm roli i mësuesit. Janë dhe strukturat e shërbimit psiko-social që janë sot në shkolla, numri i psikologëve, i punonjësve socialë është rritur. Ne mendojmë, kemi konkluzione dhe të dhëna që tregojnë se ndërgjegjësimi është në nivele më të larta se 15 apo 20 vjet më parë”, u shpreh për Zërin e Amerikës Gert Janaqi, Drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar

Përfaqësues të agjenisë së Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues në Tiranë, megjithatë mendojnë, se në mjaft drejtime ka vend për përmirësime me qëllim rritjen e cilësissë së mësimdhënies rreth edukimit seksual në shkolla.

“Gjërat përparojnë. Kemi ndryshime përsa i përket përmbajtjes, tematikave që adreson kurikula, patjetër që duhet të rishikohet. A duhet të kemi më shumë materiale didaktike për nxënësit, patjetër që duhet të kemi. A duhet të kemi monitorim më të mirë, se si ofrohet edukimi seksual në shkollë, patjetër po. Por paralelisht me këto gjëra duhet të shihet dhe roli i aktorëve të tjerë, i organizatave të shoqërisë civile, i mjekut të shkollës, i mjekut të kujdesit shëndetësor parësor. Duhet të jenë të gjithë së bashku përsa i përket edukimit shëndetësor të brezit të ri”, u shpreh për Zërin e Amerikës Dorina Toçaj, përfaqësuese e UNFPA në Tiranë.

Ndërsa mjekë, obstetër gjinekologë rekomandojnë takime periodike të posaçme të mjekëve me nxënës në shkolla, ku t’u shpejgohen nga pozitat e mjekut, pasojat e aborteve dhe të marrdhënieve seksuale në moshë të hershme.

“Vetë aborti në një moshë të hershme mund të ketë pasoja mjekësore, siç janë infeksionet pas abortit ose dhe rreziqe të tjera që mund të rrezikojnë shtatzanitë e dëshiruara në të ardhmen. Ato janë të ekspozuara dhe ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme siç është klamidia, në variantin më të lehtë të mundshëm që mund të sjellë një mbyllje të përhershme të tubave. Ose dhe sëmundje më të rënda siç janë hepatiti B, hepatiti C apo dhe HIV-AIDS”, thotë Enkeleda Prifti, mjeke obstetër gjinekologe.

Por pavarësisht trajtimit të temave mbi shëndetin seksual në auditoret e shkollave, roli i familjes mbetet gjithashtu i rëndësishëm. Ekspertë të kësaj fushe mendojnë se roli prindërve duhet forcuar në këtë drejtim, ndërsa tërheqin vëmendjen se strukturat psiko-sociale në shkolla janë të pamjaftueshme.

“Është bërë një përparim nga Ministria e Arsimit duke futur punonjës socialë, ose psikologë në shkolla. Por nga ana tjetër duhet të themi, se në një gjimnaz të Tiranës me një mijë nxënës, ku ka vetëm një psikolog, mund ta imagjinojmë se sa e mundur është që ky psikolog, gjatë gjithë vitit të arrijë dhe të mbulojë me shërbim gjithë nevojat që mund të kenë të rinjtë për informacione të nevojshme apo për problemet që ata mund të kenë”, u shpreh për Zërin e Amerikës Arlinda Gjypi, menaxhere e programeve në organizatën “Together for life”.

Problematikat e shëndetit seksual dhe riprodhues vazhdojnë të jenë ende tabu sipas ekspertëve, në një vend si Shqipëria me gjysmën e popullsisë në zonat rurale, ku dominon mentaliteti patriarkal. Ndaj dhe rritja e ndërgjegjësimit për këto çështje shihet si prioritet nga të gjithë aktorët e përfshirë në trajtimin e tyre.

XS
SM
MD
LG