Ushtria e Koresë së Jugut bëri të ditur sot se Koreja e Veriut lëshoi të paktën një raketë balistike drejt ujërave të saj në lindje të vendit.
Ky zhvillim ndodhi disa orë pasi nënpresidentja amerikane Kamala Harris u largua nga Koreja e Jugut, ndalesa e fundit e një udhëtimi katër-ditor aziatik, gjatë të cilit zonja Harris theksoi angazhimin amerikan për të mbrojtur aleatët e saj përballë kërcënimeve në rritje të Phenianit.
Raketa e lëshuar ishte e treta në ciklin e provave me raketa të kryera këtë javë nga Pheniani. Koreja e Veriut kreu prova me dy raketa balistike të mërkurën, vetëm një ditë përpara se zonja Harris të vizitonte Korenë e Jugut dhe po ashtu të dielën, përpara nisjes së saj nga Uashingtoni.
Nënpresidentja Harris vizitoi të enjten zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë ku dënoi programin e armëve të Koresë së Veriut duke e quajtur "diktaturë brutale" e "destabilizuese".
Në zonën e çmilitarizuar mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, zonja Harris tha se provat me raketa janë "qartësisht një provokim".
Më herët gjatë ditës së enjte ajo u takua me presidentin me prirje konservatore të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili ka nxitur përmirësimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara. Vizita e zonjës Harris kishte për qëllim të përsërisë angazhimin amerikan për të mbrojtur Korenë e Jugut. Rreth 28,000 trupa amerikane janë të vendosura në Korenë e Jugut, një trashëgimi e Luftës Koreane të viteve 1950, e cila përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.