Lidhje

Mali i Zi heton rusë dhe malazezë nën dyshimin për spiunazh  


Mali i Zi tha të enjten se ka nisur një hetim ndaj një numri të papërcaktuar të dyshuarish për spiunazh dhe ka dëbuar gjashtë diplomatë rusë nën dyshimin se kanë kryer shkelje të normave diplomatike.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi shkroi në Twitter se urdhëroi diplomatët të largoheshin “për shkak të aktiviteteve në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe respektin dhe vlerësimin reciprok të dy vendeve”.

Gazeta malazeze “Pobjeda” njoftoi se Agjencia e Malit të Zi për Sigurinë Kombëtare (ANB) dhe Prokuroria Speciale e Shtetit (SDT) kishin arrestuar gjashtë diplomatë rusë, 30 shtetas rusë me leje qëndrimi të përkohshëm dhe dy malazezë të dyshuar për spiunazh.

Reuters shkruan se ambasada ruse nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë zhvillim.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Shtetit (SDT), Vukas Radonjiç, i tha Reuters se policia bastisi disa apartamente duke kërkuar prova për konspiracion dhe spiunazh.

Policia po kontrollon një sërë banesash dhe ambientesh të tjera për shkak të dyshimeve të arsyeshme për komplot për të kryer një sipërmarrje kriminale dhe spiunazh”

“Pas kërkesës së SDT-së dhe urdhrit të gjykatës, policia po kontrollon një sërë banesash dhe ambientesh të tjera për shkak të dyshimeve të arsyeshme për komplot për të kryer një sipërmarrje kriminale dhe spiunazh”, tha ai përmes telefonit.

Zoti Radonjiq tha se pas përfundimit të bastisjeve “do të përcaktohet se kush do të akuzohet dhe arrestohet”. Ai nuk tregoi se sa të dyshuar janë dërguar për t'u marrë në pyetje.

Kryeministri Dritan Abazoviç gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të mbledhjes së kabinetit qeverisës, duke mos dhënë detaje, tha se një “operacion ndërkombëtar”, me partnerë të huaj dhe zyrën e prokurorit të shtetit, ishte duke u zhvilluar për të ruajtur interesat e vendit.

Vendi anëtar i NATO-s dhe me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë për sulmin e saj në Ukrainë. Mali i Zi ka dëbuar diplomatë rusë edhe në të kaluarën.

Në vitin 2016, Mali i Zi akuzoi agjentët rusë për përfshirje në një komplot për të sjellë në pushtet opozitën pro-ruse, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç dhe për të ndaluar integrimin e ish-republikës jugosllave në NATO.

Moska i ka hedhur poshtë vazhdimisht këto akuza si absurde. Mali i Zi iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore në vitin 2017.

XS
SM
MD
LG