Lidhje

Gajda: Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara zbatohen në minimum


Respektimi i të drejtave njerëzore të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri është ende në nivele minimale. Kështu deklaroi sot Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku afro 30 për qind e ankesave dhe vendimeve janë për personat me aftësi të kufizuara.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e këtyre personave kanë nisur një lëvizje të re për të ndërgjegjësuar institucionet në plotësimin e nevojave dhe të drejtave të tyre.

Sipas Censusit të vitit 2011, Shqipëria ka afro 6.5 për qind të popullsisë të vetëdeklaruar si persona me aftësi të kufizuara, ose rreth 170 mijë vetë.

Debati mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Studiuesit vendas dhe të huaj pohojnë se shifra e vërtetë është shumë më e madhe, ndërsa vendi është në prag të një Censusi të ri.

Por më shumë se për shifrat, veprimtarët e kësaj fushe janë të shqetësuar për nivelin tepër të ulët, sipas tyre, të respektimit të të drejtave njerëzore për këta persona me kufizime në lëvizje, në shikim, në dëgjim.

“Ne jemi në fazën fillestare të zbatimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Ne kemi probleme shumë të mëdha me aksesueshmërinë dhe eliminimin e barrierave në transport publik, në trotuare, në institucione publike e private ku marrim shërbime dhe jetojmë si komunitet. Ende në vitin 2022 në Shqipëri ka një kuptueshmëri shumë të mangët e të cunguar në lidhje me eliminimin e barrierave”, thotë drejtuesja e Fondacionit “Së Bashku”, Suela Lala.

Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë që dinjiteti dhe të drejtat e tyre të përmbushen sa më parë, ndërkohë që vitet ikin dhe për ta është bërë shumë pak. Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, Robert Gajda, thotë se respektimi i të drejtave për këta persona në Shqipëri është në kufijtë minimalë, sepse ende ofrohet minimumi i aksesueshmërisë për ta në gjithë fushat e jetës.

“Problemi i parë një herë është minimumi, është A-ja, që mungon aksesueshmëria në shumë shërbime si shëndetësia, arsimi, transporti dhe shërbime të ndryshme, të cilat qytetarët i marrin në një mënyrë të thjeshtë, ndërsa për personat me aftësi të kufizuara kthehet në barriera të pakalueshme, pa patur ndihmën e një personi tjetër, i cili duhet të jetë në dispozicion të tyre. Për nivel të arritjes së standarteve jemi shumë larg dhe nuk mund të flasim Akoma për nivelin zero në momentin që jemi”, thotë zoti Gajda

Organizatat e të drejtave të njeriut në këtë fushë kanë nisur një lëvizje të re për t’u kujdesur institucionet dhe shoqëria më shumë për personat me aftësi të kufizuara. Drejtuesja e Fondacionit “Së Bashku”, Suela Lala, thotë se pengesat e moskuptimit janë më të mëdha se sa mungesat e disa rampave, por një shoqëri që synon të integrohet në BE duhet të krijojë hapësira dinjiteti për të gjithë.

“Besoj se të gjithë e konstatojnë që ka pak persona me aftësi të kufizuara në lëvizje, në komunitet dhe në rrugë. Dhe jo se nuk ka të tillë, sepse statistikat thonë krejt të kundërtën. Por duke patur një mjedis me kaq shumë barriera, ne mbetemi të izoluara nëpër shtëpitë tona”, thotë zonja Lala.

Shqipëria ka miratuar disa ligje për personat me aftësi të kufizuara, por sipas ekspertëve, ato nuk zbatohen dhe për më tepër një pjesë e institucioneve nuk janë në dijeni të këtyre detyrimeve ligjore.

Zoti Gajda thotë se autoritetet nisin të reagojnë pozitivisht pasi iu vihen në dukje problemet nga ankesat dhe vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

“Rreth 30 për qind të ankesave dhe vendimeve të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi lidhen me personat me aftësi të kufizuara, në fusha dhe shërbime nga më të ndryshmet. Ato përbëjnë pjesën kryesore të shkeljeve të pretenduar për diskriminim, ndaj edhe shumica e vendimeve i përkasin këtij grupimi”, thotë zoti Gajda.

Veprimtarët pohojnë se personat me aftësi të kufizuara dalin pak në rrugë prej mungesave infrastrukturore, por akoma më pak shfaqen edhe në media, edhe pse mundësia për këtë është shumë herë më e madhe.

Edhe në shfaqet e pakta në media ata dalin vetëm në programe të rralla kushtuar nevojave të personave me aftësi të kufizuara.

Por mbajtja larg trafikut rrugor dhe larg televizioneve, nuk e zgjidh problemin e tyre, por vetëm e fsheh dhe shton vuajtjet e tyre.

XS
SM
MD
LG