Në Tiranë, Instituti për Studime Ndërkombëtare bashkoi sot diplomatë, historianë dhe ligjvënës në një konferencë mbi 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Ata shqyrtuan periudha të ndryshme historike në marrëdhëniet shqiptaro - amerikane, duke theksuar se të dy palët besojnë tek liria dhe vlerat e demokracisë, ndaj bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve është dhe do të vazhdojë në të ardhmen.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, theksoi se SHBA u bënë garantë të pavarësisë dhe shtetformimit për Shqipërinë dhe për Kosovën. Ajo tha se me mbështetjen e SHBA, Shqipëria përmbysi regjimin komunist, po ndërton demokracinë dhe po kryejnë reformat integruese euro-atlantike.
“SHBA janë pasqyra ku kombet që aspirojnë për liri, demokraci të qëndrueshme, paqe e siguri dhe qeveri ta pakorruptuara shohin veten. Partneriteti me SHBA, mbështetur në deklaratën e përbashkët mbi partneritetin strategjik, nënshkruar më 20 prill 2015, është gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë” - thotë zonja Nikolla.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha se SHBA gjithnjë e kanë mbështetur popullin shqiptar, duke nisur nga Konferenca e Paqes me presidentin Wilson e deri sot.
“Mendoj se e ardhmja e Shqipërisë do të përcaktohet tani. Ka çaste në histori kur popujt dhe drejtuesit e tyre kanë përpara vendime të mëdha: Kush duan ata që të jenë? Kush duan ata të shkojnë? Janë çaste si 1919, 1920, 1946, 1991, 1997. SHBA e kanë bërë të qartë me fjalët e sekretarit Bejker: Liria jep rezultate. Ju jeni me ne, ne jemi me ju. Shqipëria i ka marrë vendimet e saj: ajo dëshiron të integrohet në BE. Ajo dëshiron të mbetet një aleate e afërt e SHBA-ve. Ajo po ecën me reforma të rëndësishme që përmirësojnë drejtësinë dhe reduktojnë korrupsionin. SHBA janë të përqëndruar tek e ardhmja e Shqipërisë dhe forcimi i marrëdhënieve me të” , thotë ambasadorja Kim.
Ndërsa ish gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, foli për Faik Konicën, ambasadorin e parë të Shqipërisë në SHBA, Faik Konica, për të cilin ka botuar një libër, ku e quan atë një shembull për diasporën e sotme shqiptare, që të marrë pjesë në jetën e Shqipërisë.
“Vendosa të flas këtu për Faik Konicën, si një personalitet, që duhet vlerësuar në 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro - amerikane. Faik Konica punoi shumë si një urë midis dy shteteve dhe dy popujve. Ai u përfshi tërësisht në edukimin e diasporës shqiptare dhe shqiptarëve në Shqipëri me idetë dhe kulturën amerikane. Konica i bënte presion edhe qeveritarëve amerikanë dhe shqiptarë, që të luftonin me forcë korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ishte për gjykata të forta dhe të pavarura. Këto janë tema aktuale edhe sot. Konica është një shembull i shkëlqyer se si diaspora duhet të marrë pjesë në jetën e Shqipërisë. Në diasporën e sotme është vështirë të gjesh një figurë si ai, një figurë që të gjithë duhet të përpiqen t’i ngjajnë me vepra. Nuk e kuptoj pse diaspora sot nuk i afrohet Shqipërisë as për dituri, as për investime as për votime” , thotë zoti Ikonomi.
Diplomati i parë amerikan në Shqipëri pas rrëzimit të diktaturës, Christ Hill, aktualisht ambasador i SHBA-ve në Serbi, kujtoi përmes një video mesazhi, se si ambasada amerikane në Shqipëri nisi veprimtarinë në dy dhoma të Hotel Dajtit, në pranverën e 1991, ndërkohë që po përgatiteshin zgjedhjet e para shumëpartiake në pranverën e vitit 1991. Miratimi i përhershëm u bë në shtator 1991 dhe ambasada u vendos plotësisht në selinë e saj në mars 1992.
“Ditë të vështira, kohë të vështira, por kishim kënaqësinë e madhe që Shqipëria po bëhej aleatja jonë, dhe themelorja në vitin 1991 ishte besimi i madh që shqiptarët dhe amerikanët kishin tek njëri tjetri për këtë rifillim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në ditët e para isha vetëm unë, dhe disa punonjës të parë e të rinj si Kestrina Budina, Andi Dervishi, shofer Petriti, që na duhej ta mbanim ambasadën të hapur. Kishim një zyrtar për politikën dhe një për menaxhimin. Më pas u kthyem tek ndërtesa e ambasadës tonë, e cila gjatë viteve të regjimit komunist mbahej nga diplomatët italianë dhe puna u normalizua dhe vazhdoi”, kujtoi ambasadori Hill.
SHBA dhe Shqipëria kanë ndërtuar një partneritet të gjerë në NATO, OKB dhe bashkëpunojnë kundër terrorizmit, dhunuesve të demokracisë dhe agresorëve të vendeve sovrane, pohuan studiuesit.
“Anëtarësimi në NATO e ka lidhur Shqipërinë në të tashmen dhe në të ardhmen me Perëndimin. Pavarësisht nga ulje-ngritjet, apo nga hapat mbrapa, anëtarësimi në NATO ka përcaktuar për Shqipërinë një rrugë pa asnjë dilemë” , thotë Albert Rakipi, drejtues i Institutit për Studime Ndërkombëtare.
Studiuesit theksuan me shqetësim se diaspora shqiptare në SHBA nuk përfshihet në jetën e Shqipërisë, edhe pse është e shkolluar, e pasuruar dhe e angazhuar të përfshihet në mbarëvajtjen e punëve në atdhe.
“Ne përsëritim vazhdimisht mbi rolin e diasporës shqiptare historikisht, por asnjëherë nuk e kemi studiuar plotësisht, fuqinë dhe kapacitetet e saj dhe për ta vendosur në qendër të vëmendjes. Mes tyre ka profesionisë shumë të sukseshëm, ka biznesmenë e investitorë të shumtë, kanë kryer studime në shumë fusha, por ndërsa duhen programe të kthimit të tyre në atdhe, ata mbahen vetëm për të sjellë remitancat e mbijetesës këtu dhe madje ende nuk as nuk mund të votojnë për zjedhjet në Shqipëri, ndonëse kjo është premtuar shpesh nga politika” , thotë historiani Elidor Mëhilli.
Studiuesit pohuan se këtë vit festohet 100 vjetori i nisjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, dhe jo 100 vjet marrëdhënieve diplomatike, sepse për 45 vjet të dy vendet nuk kishin asnjë marrëdhënie mes tyre, për shkak të vetizolimit të Shqipërisë komuniste.
Kjo mbetet një fushë e gjerë studimesh, pohuan ata, se si ndodhi, që pas një propagande aq të madhe anti-amerikane përsëri shqiptarët e përqafuan aleancën me SHBA si straegjike dhe besimplote.