E marta është dita e fundit e votimit në rajonet e Ukrainës kontrolluar nga Rusia në referendumet që Moska pritet t’i përdorë si pretekst për t’i aneksuar këto rajone.
Referendumet po rrisin tensionet mes Kremlinit dhe Perëndimit, pasi Rusia po paralajmëron se mund të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur territoret që do t’i pretendojë si të sajat.
Njohja zyrtare nga parlamentit rus e pjesëve të pushtuara të Ukrainës lindore, që mund të bëhet brenda disa ditësh, krijon terrenin për një fazë të re të rrezikshme të luftës shtatëmujore.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të martën se pas votimit "situata do të ndryshojë rrënjësisht nga pikëpamja juridike, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, me të gjitha rrjedhojat përkatëse për mbrojtjen e këtyre zonave dhe garantimin e sigurisë së tyre."
Përballë përparimit të kohëve të fundit të forcave ukrainase në fushën e betejës, Presidenti rus Vladimir Putin ka përshkallëzuar retorikën duke duke lënë të kuptohet se mund të përdorë armë bërthamore. Referendumet rajonale dhe thirrja e rezervistëve rusë janë mes strategjive të tjera që po përdoren për të mbështetur pozicionin e Moskës.
Aleatët perëndimorë po mbështesin me vendosmëri Ukrainën. Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna që vizitoi të martën Kievin tha se Parisi është i vendosur "të mbështesë Ukrainën dhe sovranitetin e integritetin e saj territorial."
Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, i kryesuar nga Presidenti Putin, e shprehu kërcënimin të martën në mënyrën më të hapur deri sot.
"Le të imagjinojmë se Rusia do të detyrohet të përdorë armën më të fuqishme kundër regjimit ukrainas, që ka kryer një akt agresioni në shkallë të gjerë, që është i rrezikshëm për vetë ekzistencën e shtetit tonë," shkruante ai në një aplikacion mesazhesh.
"Unë besoj se në atë rast NATO-ja do të tërhiqej nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë në konflikt."
Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar paralajmërimet bërthamore të Kremlinit si taktika frikësuese.
Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, tha gjatë funndjavës se Rusia do të paguajë një çmim të lartë, megjithëse pa e përcaktuar se çfarë konkretisht, nëse përpiqet të vërë në jetë kërcënimet e nënkuptuara për të përdorur armë bërthamore në konflikt.
"Nëse Rusia e kapërcen këtë vijë, do të ketë pasoja katastrofike për Rusinë. Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me vendosmëri," tha ai për emisionin “Meet the Press” të televizionit NBC.