Lidhje

Megjithë vlerësimin në skenën botërore, Shinzo Abe lë pas një trashëgimi të komplikuar në Japoni


Qindra personalitete ndërkombëtare do të marrin pjesë të martën në funeralin shtetëror të ish-Kryeministrit japonez Shinzo Abe. Në Japoni ka mbërritur edhe Nënpresidentja amerikane Kamala Harris duke reflektuar kështu rëndësinë që i jep Amerika aleancës me Japoninë, por edhe popullaritetin e madh të zotit Abe në skenën ndërkombëtare. Siç njofton nga Tokio, korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo, zoti Abe, i cili u vra në një atentat në muajin korrik, ka lënë në vendin e tij një trashëgimi të përçarë.

Megjithë vlerësimin në skenën botërore, Shinzo Abe lë pas një trashëgimi të komplikuar në Japoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Për shumë udhëheqës botërorë, Shinzo Abe ishte një mik i qëndrueshëm, që mbështeste rendin botëror të bazuar në rregulla.

Vdekja e tij tronditëse u prit me homazhe të shumta në mbarë botën. Në Japoni, trashëgimia e zotit Abe është më e komplikuar. Ai fitoi respekt për faktin se e bëri vendin e tij më të fortë dhe më të qëndrueshëm.

Por, politikat e tij konservatore kishin zemëruar shumë japonezë. Disa kundërshtojnë idenë e një funerali shtetëror, që zakonisht ruhet për perandorin dhe familjen e tij. Anketimet tregojnë se shumica dërrmuese e japonezëve janë kundër mbajtjes së një funerali shtetëror, duke thënë se ka kosto shumë të lartë.

“U mbajt tashmë një funeral, kështu që nuk ka nevojë për një tjetër”, thotë Jo, banor i Tokios.

“E admiroj vërtet trashëgiminë e tij, por nuk mendoj se është e nevojshme të harxhojmë kaq shumë para për të mbajtur një funeral shumë të madh shtetëror”, thotë Sakaki.

“70% e popullit japonez janë kundër kësaj. Fakti që po vazhdojnë me organizimin e tij tregon se qeveria nuk po funksionon siç duhet”, thotë Mario Ito.

Megjithëse Shinzo Abe ishte kryeministri më afatgjatë i Japonisë, popullariteti i tij kishte rënë.

“Si kryeministër, ai ishte i suksesshëm në fitoren e disa zgjedhjeve. Por, pati pjesëmarrje të ulët të votuesve. Pra, megjithëse fitonte, kjo nuk do të thotë se ishte një politikan shumë, shumë popullor, apo që e donte populli”, thotë Jeffrey Hall, nga Universiteti Kanda për Studime Ndërkombëtare.

Disa prej kritikave kanë të bëjnë me lidhjet e partisë në pushtet me Kishën e debatueshme të Unifikimit, me qendër në Korenë e Jugut.

Vrasësi i zotit Abe tha se këtij grupimi i jepte donacione të tepruara nëna e tij dhe e akuzoi zotin Abe se e mbështeste këtë kishë.

“Nuk mund ta veçojmë këtë funeral dhe trashëgiminë e Shinzo Abes nga skandali i Kishës së Unifikimit, pasi partia po del me gjithnjë e më shumë lidhje me këtë kishë; shumica e tyre ishin bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, dhe shumë prej tyre pjesë e fraksionit të tij brenda partisë”, thotë zoti Hall.

Kjo ka krijuar një situatë delikate për Kryeministrin Fumio Kishida, që ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të zotit Abe. Niveli i miratimit të publikut për punën e tij ka vazhduar të bjerë.

Megjithatë, për udhëheqësit botërorë të mbledhur në Tokio këtë javë, funerali shtetëror do të jetë një mundësi për t’i dhënë lamtumirën një ndër udhëheqësve më me influencë të shekullit të 21-të.

XS
SM
MD
LG