Lidhje

Furtuna tropikale Ian forcohet ndërsa lëviz drejt Kubës dhe Floridas


Furtuna tropikale Ian
Furtuna tropikale Ian

Autoritetet dhe banorët në Florida po ndjekin me vëmendje furtunën tropikale Ian ndërsa lëviz të dielën në mënyrë kërcënuese përmes Karaibeve dhe ka gjasa të shndërrohet në një uragan të fuqishëm gjatë rrugëtimit drejt Amerikës.

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, ka shpallur gjendjen e emergjencës në të gjithë shtetin dhe u ka bërë thirrje banorëve të përgatiten për furtunën që do të përfshijë pjesë të mëdha të këtij shteti duke sjellë reshje të dendura, erëra të forta dhe rritje të nivelit të detit.

Ai tha se parashikuesit e motit nuk janë ende të sigurtë se ku do të godasë tokën furtuna Ian, ndërsa modelet që përdoren për të projektuar lëvizjen tregojnë se mund të mbërrijë në bregun perëndimor të Floridas.

"Do të vazhdojmë të vëzhgojmë trajektoren e kësaj stuhie, por është me të vërtetë e rëndësishme të theksojmë shkallën e pasigurisë që ende ekziston", tha guvernatori DeSantis në një konferencë shtypi të dielën, duke paralajmëruar se "edhe nëse nuk gjendeni domosdoshmërisht në epiqendër të trajektores së stuhisë, do të ketë pasoja mjaft të gjera në të gjithë shtetin”.

Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se, stuhia tropikale pritet që të rrisë intensitetin të dielën vonë ose mëngjesin e së hënës dhe përfundimisht të bëhet një uragan i fuqishëm përpara se të arrijë në Kubën perëndimore.

XS
SM
MD
LG