Në Itali po mbahen të dielën zgjedhjet e përgjithshme në një moment kritik për Evropën që po përjeton krizën energjitike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Sipas parashikimeve, Italia pritet të qeveriset nga një forcë e djathtë e skajshme për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, me kandidate kryesore për kryeministren e parë grua të vendit, Giorgia Melonin, drejtuesen e partisë me rrënjë neo-fashiste “Vëllezërit e Italisë”.
Italianët filluan të votojnë të dielën për zgjedhjet parlamentare që vijnë në një moment kyç për Evropën.
Faturat në rritje të energjisë, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë, kanë ngjallur frikën se shtëpitë dhe bizneset mund të mos kenë ngrohjen dhe ndriçimin e duhur gjatë dimrit të këtij viti.
Votimi i sotshëm mund të sjellë qeverinë e parë të krahut të skajshëm të djathtë në Itali, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Anketimet përpara votimeve tregonin se Giorgia Meloni dhe partia e saj me rrënjë neo-fashiste “Vëllezërit e Italisë” mund të marrë votat më të shumta. Nëse kjo ndodh, zonja Meloni do të bëhej gruaja e parë në historinë e Italisë që do të marrë drejtimin e qeverisë. Sidoqoftë, krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës mund të kërkojë javë të tëra. Presidenti i vendit, Sergio Mattarella, që ka rolin e garantuesit të kushtetutës italiane të hartuar pas Luftës së Dytë Botërore, votoi në qytetin siçilian Palermo.
“Më pëlqen që do të jetë një grua, mjafton që të jetë dikush me kapacitet. Megjithatë, nuk i mbështes disa prej ideve”, thotë votuesja Clara Invrea.
“Uroj që të jenë njerëz të ndershëm. Dhe kjo është bërë shumë e vështirë në ditët e sotme”, thotë votuesja Adriana Gherdo.
“Shpresoj të shkojë më mirë, pasi kemi nevojë për ndihmë me gjendjen në të cilën ndodhet shoqëria. Kemi vështirësi dhe problemet janë të shumta”, thotë votuesi Carmine.
Partia “Vëllezërit e Italisë” e zonjës Meloni është pjesë e një koalicioni me partinë anti-emigracion “Lega Nord” të drejtuar nga Matteo Salvini, si dhe me partinë “Forza Italia” të drejtuar nga ish-Kryeministri Silvio Berlusconi. Sipas anketimeve parazgjedhore, pas koalicionit të djathtë renditej Partia Demokratike e qendrës së majtë e udhëhequr nga ish-Kryeministri Enrico Letta.
Pothuajse 51 milionë italianë gëzojnë të drejtën e votës. Anketimet parashikonin një pjesëmarrje më të ulët se në zgjedhjet e mëparshme dhe konstatuan se megjithë krizat e shumta në Evropë, shumë votues italianë ndjehen të përjashtuar nga politika, ndërsa që prej zgjedhjeve të kaluara vendi ka patur tre koalicione të ndryshme qeveritare. Qendrat e votimit që u çelën në orën 7 të mëngjesit, do të qëndrojnë të hapura deri në orën 11 të darkës.