Lidhje

Serbia një kandidate për anëtarësim në BE nënshkroi marrëveshje me Rusinë për politikën e jashtme


Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për "konsultime" të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Ministri i Jashtëm I Serbisë, Nikola Selakoviç, nënshkroi marrëveshjen të premten me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Plani i konsultimit i paraparë me marrëveshjen pritet të zgjasë për dy vjet, thuhet në një deklaratë të ministrisë serbe. Serbia zyrtarisht është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por rtuan marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Edhe pse Serbia thotë se e mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, ka refuzuar vazhdimisht t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Përafrimi i politikave të jashtme me BE-në është një nga parakushtet kryesore për t'u anëtarsuar në bllokun 27-vendesh, por Serbia i ka kundërshtuar vazhdimisht thirrjet për ta bërë një gjë të tillë.

Mediat në Serbi dhe Rusi thanë se presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takua me ministrin Lavrov në Nju Jork dhe të dy "theksuan përqendrimin e përbashkët në zhvillimin e mëtejshëm dinamik të marrëdhënieve ruso-serbe".

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cilësoi marrëveshjen “skandal të rëndë”.

“Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunim në të ardhmen me agresorin rus. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, shkroi zonja von Cramon.

Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, tha se “si një mbështetës i zellshëm i çdo hapi drejt një Serbie evropiane, e shoh lajmin e konsultimeve të planifikuara midis Serbisë dhe Rusisë një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor. Të jemi të qartë: Rusia po mobilizohet për të sulmuar shtetin kandidat për në BE, Ukrainën, Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshja Serbi-Rusi, “duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”.

Zyrtarët nga opozita pro-perëndimore e Serbisë thanë se nënshkrimi i marrëveshjes së fundit me Rusinë është një shenjë se presidenti Vuçiç, një ish-ultranacionalist, ka hequr dorë nga orientimi i vendit ballkanik drejt BE-së dhe po e afron atë më pranë Moskës.

Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, një subjekt opozitar i qendrës SSP tha se "është e pabesueshme" që në një kohë kur pjesa më e madhe e botës po vëzhgon me frikë veprimet e Moskës, Serbia nënshkroi një marrëveshje për t'u konsultuar me një vend "që shkel drejtpërdrejt Kartën e OKB-së dhe synon të aneksojë territoret (ukrainasa)”.

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin, zëdhënësi jozyrtar i presidentit Vuçiç, tha në një deklaratë se "zgjerimi i bashkëpunimit me Rusinë nuk është çështje e respektimit të së kaluarës, por një vendim i përgjegjshëm për të ardhmen”.

Serbia shihet si aleati kryesor i Moskës në Ballkanin Perëndimor dhe është e rëndësishme për Rusinë si një rrugë për të destabilizuar rajonin dhe për të zhvendosur mundësisht një pjesë të vëmendjes së botës nga lufta në Ukrainë.

Ajo llogaritë në Moskën në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

XS
SM
MD
LG