Lidhje

Mbi 1 mijë të arrestuar në protestat kundër mobilizimit në Rusi


Një grup vëzhguesish në Rusi tha më shumë se 1 mijë e 300 persona janë arrestuar në demonstratat e së mërkurës gjithandej Rusisë, kundër njoftimit të presidentit Vladimir Putin për një mobilizim të pjesshëm për luftën në Ukrainë.

Grupi OVD-Info numëroi të paktën 1,386 persona të arrestuar në tubime në 38 qytete, pas fjalimit të mëngjesit të presidentit Putin drejtuar kombit.

Protestat ishin më të mëdhatë në Rusi që nga demonstratat që shpërthyen pas njoftimit të ndërhyrjes ushtarake të Moskës në Ukrainë në muajin shkurt.

Gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP në qendër të Moskës, thanë se të paktën 50 persona u arrestuan nga policia në një rrugë kryesore.

Në ish-kryeqytetin perandorak të Rusisë, Shën Peterburg, gazetarët panë policinë që rrethoi një grup të vogël protestuesish, i ndaloi dhe i ngarkoi në një autobus.

Protestuesit brohorisnin "Jo mobilizim!"

"Të gjithë janë të frikësuar. Unë jam për paqen dhe nuk dua të detyrohem të qëlloj dikë. Por të dalësh tani është shumë e rrezikshme, përndryshe do të kishte shumë më tepër njerëz", tha protestuesi Vasily Fedorov, një student që mbante në gjoks një simbol paqeje.

"Unë dola duke planifikuar të marr pjesë në tubim, por duket sikur ata tashmë i kanë arrestuar të gjithë. Ky regjim e ka dënuar veten dhe po shkatërron rininë e tij", tha Aleksei, një 60-vjeçar që nuk pranoi të tregonte mbiemrin e tij.

"Kam ardhur të them se jam kundër luftës dhe mobilizimit", tha për AFP-në Oksana Sidorenko, një studente. "Përse ata vendosin të ardhmen time? Unë kam frikë për veten time, për vëllanë tim".

Alina Skvortsova, 20 vjeçe, tha se shpreson që rusët të kuptojnë së shpejti natyrën e sulmit të Kremlinit në Ukrainën fqinje.

“Sapo ta kuptojnë vërtet, do të dalin në rrugë, pavarësisht frikës”, tha ajo.

Agjencia e lajmeve Interfax citoi ministrinë e Brendshme ruse të ketë thënë se parandaloi "organizimin e tubimeve të paautorizuara".

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha të mërkurën se Rusia fillimisht do të mobilizojë rreth 300.000 rezervistë, pasi presidenti Putin në një fjalim televiziv paralajmëroi se Moska do të përdorë të gjitha mjetet ushtarake në dispozicion në Ukrainë.

Fluturimet jashtë Rusisë janë pothuajse plotësisht të rezervuara këtë javë, treguan të mërkurën të dhënat e linjave ajrore dhe agjencive të udhëtimit, duket si rrjedhojë e ikjes së atyre që nuk duan t'i bashkohen konfliktit.

XS
SM
MD
LG