Lidhje

Ndikimi i krizës energjitike tek zgjedhjet italiane


Fabrikat e firmës “Giambarini Group” në Italinë veriore duhet të mbajnë gjatë gjithë kohës tejet të nxehta depozitat e zinkut që përdoren në procesin e galvanizimit të hekurit dhe çelikut për t’i mbrojtur nga ndryshku, një proces intensiv energjie që i është rritur kostoja vazhdimisht ndërsa rriten çmimet e gazit natyror.


Trarët e hekurt dhe pjesë të tjera që përdoren për gardhet vishen me një shtresë të hollë zinku që i mbron nga ndryshku. Gazi i metanit përdoret për të krijuar temperatura të larta që shkrijnë zinkun dhe veshin hekurin me shtresën mbrojtëse. Më parë ky proces ishte vetëm 3% e kostos së prodhimit, por tani ka shkuar deri në 30%.


Kompania e drejtuar nga një familje, ua ka kaluar klientëve një pjesë të kostos shtesë, por biznesi është i pasigurt pasi rritja e çmimeve për lëndët e para po e bllokon industrinë e ndërtimit që furnizohet nga firma Giambarini.


“Nuk e dimë të ardhmen, nëse do të përkeqësohet apo do të përmirësohet, pasi klientët nuk e dinë nëse do të kenë punë”, tha Shefi Ekzekutiv Alberto Giambarini, familja e të cilit e drejton prej tre brezash biznesin. Në të kaluarën ai kishte porosi tre mujore, ndërsa aktualisht ka porosi për 10 ditët e ardhshme.


Kriza energjitike me të cilën përballet industria dhe familjet italiane, si ato në mbarë Evropën, përbën një shqetësim kryesor tek votuesit në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Në Itali po shtohet frika se faturat e larta astronomike do të mbyllin disa biznese, të paktën përkohësisht, dhe do të detyrojnë racionimin e familjeve deri në dimër.


Çmimet filluan të rriten një vit më parë dhe janë përkeqësuar pasi Rusia ka pakësuar gazin natyror që përdoret për të prodhuar energji elektrike, ngrohje dhe ftohje të shtëpive, dhe operimin e fabrikave, ndërsa Evropa mbështet Ukrainën e shkatërruar nga lufta.


Në korrik dhe gusht, përdorimi i energjisë industriale ra me dy shifra, kryesisht për shkak të uljes së prodhimit, që ekspertët thonë se mund të ndikojë tek rritja ekonomike dhe vendet e punës gjatë muajve të ardhshëm.


Në të njëjtën kohë, tre të katërtat e familjeve italiane presin edhe më shumë dhimbje këtë vjeshtë me fatura më të larta, sipas institutit të sondazheve SWG.


Tashmë, 80% e italianëve thonë se po bëjnë sakrifica të mëdha për të paguar kostot e energjisë, siç janë shtyrja e pushimeve, blerjet e mëdha dhe ngrënia në restorante.


Në zgjedhjet italiane energjia nuk ka qënë asnjëherë një temë kaq themelore. Kandidatët kanë debatuar ashpër nëse Italia e mbuluar me borxhe, që tashmë ka shpenzuar më shumë se 60 miliardë euro për të ndihmuar familjet, bizneset dhe qeveritë lokale, duhet të marr akoma më shumë borxhe për të lehtësuar situatën.


Ata po debatojnë gjithashtu nëse Italia duhet ta konsiderojë investimin në teknologjitë e reja bërthamore. Por asnjë parti nuk po diskuton masat e detyrueshme të kursimit, si shumë nga fqinjët evropianë të Italisë.


“Është e jashtëzakonshme të shohësh se sa shumë po komentojnë njerëzit për energjinë. Para situatës aktuale, askush nuk do ta përmendte këtë çështje. Por në të njëjtën kohë, ata po neglizhojnë për të mos thënë se po e injorojnë plotësisht anën klimatike të çështjes”, tha Matteo Di Castelnuovo, ekonomist për çështjet energjetike në Universitetin Bocconi të Milanos. “Askush nuk do të flasë për racionimin apo reduktimin e konsumit”.

Shumica e partive të mëdha, përfshirë partinë e ekstremit të djahtë “Vëllezërit e Italisë” të Giorgia Melonit dhe Partinë Demokratike të qendrës së majtë të Enrico Letta-s, kryesisht po ndjekin strategjitë e qeverisë në largim të kryeministrit Mario Draghi.


Të dyja partitë mbrojnë vendosjen nga Bashkimi Evropian të kufirit për çmimet e gazit natyror, pavarësisht dështimit për arritjen e konsesusit të BE-së pas muajsh diskutimesh, krahas përpjekjeve të ndryshme për të ndihmuar familjet dhe për të ofruar lehtësira tatimore për bizneset.


Njohës të energjisë thonë se këto ngjashmëri e bëjnë të vështirë për votuesit që të joshen nga politikat energjetike.


Në përgjithësi, fushata është e përqendruar në vazhdimin e investimeve në sektorin e gazit natyror.


Për Partinë Demokratike, impiantet që konvertojnë gazin natyror të lëngshëm në gaz natyror shihen si një urë lidhëse me teknologjitë tjera, duke vendosur objektivin për të shtuar 85 gigavatë të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030 në një vend që prej vitesh ka mesatarisht vetëm 1 gigavat në vit.


Koalicioni i qendrës së djathtë që udhëhiqet nga partia e Giorgia Melonit kërkon shtimin e dërgesave të tubacioneve në Itali, gjë që i përshtatet një strategjie afatgjate për ta bërë Italinë qendër të gazit në Evropë, por nuk adreson synimin e BE-së për reduktimin e emetimeve deri më 2030.


Koalicioni i krahut të djathtë dhe partitë e vogla të qendrës mbështesin gjithashtu kthimin tek fuqia bërthamore, gjë që është kundërshtuar nga italianët në dy referendume të zhvilluara në dekada të ndryshme.

Krahas rezistencës shoqërore, teknologjisë do t’i duheshin të paktën dy dekada për të filluar zbatimin, shumë vonë për të ndihmuar angazhimin e Italisë me grupin e 7 ekonomive më të fuqishme në botë për t’u dekarbonizuar plotësisht deri më 2035, tha Matteo Leonardi, drejtor ekzekutiv i institutit mjedisor ECCO.

Debati politik përqëndrohet kryesisht në uljen e çmimeve të gazit, por jo në diversifikimin apo dekurajimin e familjeve nga konsumimi i burimeve që do të ndihmonin industrinë, tha zoti Leonardi.


“Përgjigja ndaj krizës, siç thonë në pjesën tjetër të Evropës, janë burimet e rinovueshme dhe efektshmëria”, shtoi zoti Leonardi. “Nuk mund të përballosh një luftë pa armë. Nuk mund të dërgoni mesazhin se shteti do të kujdeset për problemin, ndërsa ju konsumoni çfarë të doni”, përfundon ai.


Edhe industria e njohur e tekstilit në Itali, po vuan pasojat. Operatorët e vegjël dhe të mesëm, që janë shtylla kurrizore e sistemit, rrezikojnë të mbyllen nëse nuk ka një reagim të shpejtë dhe sistematik nga Evropa dhe Italia, tha Sergio Tamborini, kreu i shoqatës italiane të sistemit të modës “SMI”.

“Faturat e qershorit dhe korrikut ishin shkatërruese”, tha zoti Tamborini.

Industria e tekstilit në Itali, që së bashku me atë të lëkurës dhe bizhuterive përbëjnë të ardhura prej 100 miliardë eurosh në vit, është industri luksi për të cilën zoti Tamborini shqetësohet se do të dobësohet nga tregjet më të lira nëse nuk ka ulje të kostove.

Për ngjyrosjen dhe printimin e tekstilit duhet energji, thotë zoti Tamborini ndërsa shton se “për disa është problem mbijetese”.


“Duhet të ishim ndihmuar që në shtator. Nuk mund të presim angazhimin e qeverisë së ardhshme, sepse kjo mund të kërkojë kohë, deri në Krishtlindje apo edhe më vonë”, tha ai.

Ndërkohë, zoti Giambarini tha se biznesi i tij nuk ka plane të menjëhershme për shkurtime afatshkurtra të 250 punonjësve, por qeveria në largim po diskuton programe të reja për punonjësit që largohen nga puna, për t’u dhënë bizneseve një mënyrë për shmangjen e kostove të energjisë.

Mbyllja, qoftë edhe përkohësisht do të ishte shkatërruese, meqenëse do të duheshin muaj për të rifilluar, tha zoti Giambarini, ndërsa shtoi se ai ende nuk ka vendosur se cilën parti do ta mbështes.

“Po presim zgjedhjet dhe shpresojmë që të kemi një qeveri që do të ofrojë rrugëzgjidhje për dalje nga kjo periudhë krize”, tha ai.

XS
SM
MD
LG