Policia u përlesh me huliganët në qendër të Beogradit të shtunën, ndërsa filloi Marshimi i Krenarisë, pavarësisht kërcënimeve nga grupet kundër homoseksualëve dhe vendimit të mëhershëm nga qeveria për pezullimin e veprimtarisë.
Tensionet ishin të larta në kryeqytetin serb, ndërsa ultra-nacionalistët hodhën granata zhurmuese, gurë dhe sende të tjera ndaj një kordoni policie. Organet e rendit e zmbrapsën sulmin duke përdorur shkopinj dhe mburoja.
Qindra mbështetës të paradës së Krenarisë u mblodhën nën shiun e rrëmbyer, duke kërcyer dhe kënduar.
“Duam drejtësi dhe liri”, tha Goran Miletic, një nga organizatorët e marshimit të Krenarisë.
Këtë javë, policia serbe e ndaloi mbajtjen e paradës, duke theksuar rrezikun e përleshjeve me aktivistët e ekstremit të djathtë. Por të shtunën, organizatorët thanë se morën garanci nga kryeministrja serbe Ana Brnabiq, e cila është anëtare e këtij komuniteti, se ngjarja mund të zhvillohej.
“Pas javësh trysnie intensive ndërkombëtare, kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka njoftuar se Marshimi EuroPride, i planifikuar për sot, mund të vazhdojë”, thanë organizatorët. “Kryeministrja tha se mund të garantojë që rrugët e Beogradit të jenë të sigurta këtë pasdite”, thuhet në deklaratë.
Kryeministrja Brnabiç tha se ishte krenare se, “gjatë gjithë kësaj jave, me më shumë se 130 veprimtari (LGBTQ), nuk pati asnjë incident të vetëm. Dhe ky është me të vërtet imazhi i duhur i Beogradit dhe Serbisë”.
Disa incidente u raportuan më herët të shtunën, me aktivistë anti-homoseksualë që hodhën shishe drejt organeve të rendit dhe përpiqeshin të çanin kordonin e policisë. Policia tha se 31 persona u ndaluan.
Shoqata evropiane organizatore e paradës së Krenarisë zgjodhi tre vjet më parë kryeqytetin e Serbisë për të mbajtur ngjarjen vjetore, me shpresën se vendi sllav, që është tradicionalisht konservator dhe i ndikuar fuqishëm nga kisha Ortodokse, do të bënte përparime në këtë drejtim.
Ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, paralajmëroi të shtunën se organet e rendit “nuk do të tolerojë dhunë në rrugët e Beogradit dhe se do të zbatojnë rreptësisht ligjin”.
Zyrtarë të BE-së dhe të tjerë perëndimorë, si dhe grupet e të drejtave të njeriut, i kishin kërkuar presidentit populist serb Aleksandar Vuçiç që të lejonte mbajtjen e paradës së Krenarisë. Por zoti Vuçiç qe shprehur se policia nuk mund të përballojë trazirat e mundshme nga grupet e krahut të djathtë në mes të krizës energjetike.
Grupe të krahut të djathtë, me disa prej tyre që konsiderohen të afërta me qeverinë nacionaliste të zotit Vuçiç, u ndaluan gjithashtu që të zhvillonin aktivitete të shtunën, ndërsa thanë se nuk do ta përfillnin vendimin.
Autoritetet serbe hodhën poshtë disa kërkesa të organizatorëve për të lejuar marshimet e grupeve të djathta.