Lidhje

Ligjvënësit amerikanë shprehin mbështetjen për Tajvanin


Një grup ligjvënësish amerikan dypartiak u takua me presidenten taivaneze Tsai Ing-wen në fillim të këtij muaji, duke shprehur mbështetjen e Kongresit amerikan për ishullin mes tensioneve në rritje me Kinën. Zëri i Amerikës bisedoi me disa anëtarë të delegacionit për sigurinë dhe mbështetjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara për Tajvanin.

Mbështetje të re për Taivanin shprehu edhe një delegacion tjetër dypartiak i Kongresit, i cili bëri thirrje për lidhje më të thella përballë kërcënimeve nga Kina.

"Delegacioni ynë, si çdo delegacion i Kongresit që ka vizituar Tajvanin, është një shenjë e përkushtimit të fortë të Kongresit ndaj ishullit", tha ligjvënësja demokrate Stephanie Murphy.

Kjo vizitë e fundit pason udhëtimin historik të Nancy Pelosit muajin e kaluar, e para nga një kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në 25 vjet. Një anëtar i delegacionit të fundit i tha Zërit të Amerikës se është koha për një ndryshim në qasjen e Shteteve të Bashkuara.

“Politika jonë ka qenë gjithmonë e paqartë nga pikëpamja strategjike. Por kjo politikë u miratua para pothuaj 40 viteve. Duhet ta kuptojmë se Kina ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga ajo kohë, kur ajo nuk ishte një fuqi e rëndësishme ushtarake apo ekonomike siç është sot”, thotë ligjvënësja republikane Claudia Tenney.

Administrata e Presidentit Biden miratoi një masë për shitjen e armëve me vlerë 1.1 miliardë dollarësh Tajvanit javën e kaluar, një veprim që shkaktoi reagim të shpejtë nga Kina.

"Shitja e armëve nga Shtetet e Bashkuara për Tajvanin shkel në mënyrë të hapur parimin e politikës ‘një Kinë’ dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA, veçanërisht komunikatën e 17 gushtit, minon seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës, dëmton rëndë marrëdhëniet Kinë-SHBA, paqen dhe qëndrueshmërinë në Ngushticën e Tajvanit, dhe dërgon sinjale seriozisht të gabuara për forcat separatiste që mbështesin pavarësinë e Tajvanit”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze.

Por, në Kongresin amerikan ka përkrahje dypartiake për të rritur mbështetjen për Tajvanin, duke përfshirë vendosjen e lidhjeve më të ngushta në fushën e bujqësisë dhe tregtisë.

“Ata na kërkuan që të përfshihemi në një marrëveshje të tregtisë së lirë, ata duan një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. Ne do të punojmë për të parë se si mund ta bëjmë këtë. Ing-wen gjithashtu dëshiron të sjellë më shumë ekuilibër, ne do të dëshironim të kishim më shumë tregëti me ta dhe të balancojnë tregtinë", thotë ligjvënësja republikane Caludia Tenney.

Në një seancë të një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të mbajtur të mërkurën, ekspertët thanë se përfshirja e Tajvanit në Partneritetin Trans-Paqësor do të luante një rol vendimtar në luftën kundër autoritarizmit.

“Tajvani është në vijën e parë të këtij rivaliteti ndërsa Pekini intensifikon presionin politik, ushtarak dhe ekonomik kundër tij si pjesë e një strategjie më të gjerë për të përmbysur demokracinë e ishullit dhe për të detyruar ribashkimin e tij me Kinën. Shtetet e Bashkuara duhet të ndihmojnë përpjekjet e Tajvanit për të mbrojtur popullin, demokracinë dhe liritë e tij. Një Marrëveshje Tregtare dypalëshe mes Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara do t'i shërbente këtij qëllimi. Kjo do të demonstronte solidaritetin amerikan me popullin e Tajvanit dhe do të shpërblente suksesin e tyre në kultivimin e institucioneve të forta demokratike, shoqërisë civile të fuqishme, qeverisë transparente dhe të përgjegjshme dhe lirive ekonomike”, thotë ekspertja Bonnie Glaser nga Fondi Gjerman Marshall.

Një Komision i rëndësishëm i Senatit amerikan miratoi gjithashtu Projekt-ligjin për Sigurinë e Tajvanit këtë javë që nëse miratohet do të siguronte 6.5 miliardë dollarë fonde për sigurinë gjatë pesë viteve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG