IZIUM, Ukrainë (AP) – Autoritetet ukrainase gjetën një varrezë masive pranë një qyteti verilindor të rimarrë së fundi, i pushtuar më parë nga forcat ruse, tha presidenti Volodymyr Zelenskyy të enjten mbrëma.
“Një varr masiv u gjet në Izium në rajonin e Kharkivit. Aty tashmë kanë nisur procedurat e nevojshme. Më shumë informacion - informacion i qartë dhe i verifikueshëm - duhet të jetë i disponueshëm nesër", tha presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij televiziv.
Gazetarët e agjencisë Associated Press panë varrezën në një pyll pranë Iziumit të enjten. Varreza masive mbante një shenjë ku thuhej se përmbante trupat e 17 ushtarëve ukrainas. Ajo ishte e rrethuar nga qindra varre individuale me vetëm kryqe për t'i shënuar ato.
Presidenti Zelenskyy përmendi emrat e qyteteve të tjera ukrainase ku autoritetet thanë se trupat ruse në tërheqje lanë pas varre masive civile dhe prova të krimeve të supozuara të luftës.
“Buça, Mariupol, tani, për fat të keq, Iziumi. … Rusia e lë vdekjen kudo. Dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Bota duhet ta sjellë Rusinë përpara përgjegjësisë reale për këtë luftë”, tha ai.
Forcat ruse u larguan nga Iziumi dhe pjesë të tjera të rajonit të Kharkivit javën e kaluar mes një kundërofensive mahnitëse ukrainase. Të mërkurën, presidenti Zelenskyy bëri një udhëtim të rrallë jashtë kryeqytetit të Ukrainës për të parë ngritjen e flamurit kombëtar në bashkinë e Iziumit.
Sergei Bolvinov, një hetues i lartë për policinë ukrainase në rajonin lindor të Kharkivit, i tha rrjetit britanik Sky News se një gropë me më shumë se 440 trupa u zbulua pranë Iziumit pasi forcat e Kievit hynë brenda në qytet.
“Ne e dimë se disa nga njerëzit e varrosur në gropë u qëlluan, disa vdiqën nga zjarri i artilerisë, nga të ashtuquajturat trauma nga shpërthimi i minave. Disa vdiqën nga sulmet ajrore. Gjithashtu, kemi informacione se shumë trupa ende nuk janë identifikuar”, tha zoti Bolvinov.
Më herët të enjten, Zelenskyy tha se gjatë pesë muajve që rusët pushtuan rajonin, ata “vetëm shkatërruan, vetëm privuan, vetëm morën. Ata lanë pas fshatra të shkatërruar; në disa prej tyre nuk ka asnjë shtëpi të vetme të padëmtuar. Pushtuesit i kthyen shkollat në vendgrumbullim mbeturinash dhe kishat – të shkatërruara”.