Lidhje

Vazhdon të respektohet armëpushimi mes Armenisë dhe Azerbajxhanit


ARMENIA-AZERBAIJAN/
ARMENIA-AZERBAIJAN/

Një armëpushim midis Armenisë dhe Azerbajxhanit është duke u respektuar pas dy ditë luftimesh, në të cilat u vranë 176 ushtarë nga të dyja palët.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë në Armeni, tha se armëpushimi i arritur falë ndërmjetësimit ndërkombëtar hyri në fuqi të mërkurën mbrëma. Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha të enjten se situata në kufirin me Azerbajxhanin ishte e qetë dhe nuk u raportuan shkelje të armëpushimit.

Marrëveshja e armëpushimit pasoi dy ditë luftimesh të ashpra mes dy vendeve në gati dy vjet. Armenia dhe Azerbajxhani akuzuan njëra-tjetrën për fillim të bombardimeve. Autoritetet armene akuzuan Bakun për agresion të paprovokuar, ndërsa zyrtarët e Azerbajxhanit thanë se vendi i tyre po i përgjigjej sulmeve armene.

SHBA, shqetësim për pasojat e konfliktit Armeni-Azerbajxhan tek civilët

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po bëjnë thirrje për përmbajtje pasi luftimet në kufirin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë shkaktuar një numër të madh viktimash.

Të afërmit e ushtarakëve armenë, të plagosur në përleshjet me ushtrinë e Azerbajxhanit, u mblodhën jashtë një spitali ushtarak në Jerevan për të mësuar më shumë mbi gjendjen e tyre.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht të shqetësuara nga njoftimet për plagosje të civilëve brenda Armenisë dhe se Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka biseduar me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.

"Ai i kërkoi Presidentit Ilham Aliyev që të ndërpresë menjëherë armiqësitë, të ndalë angazhimin e forcave ushtarake, të tërheqë trupat nga kufiri, të ndërpresë operacionet që mund të rrezikojnë civilët dhe të punojë për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis Armenisë dhe Azerbajxhanit përmes negociatave paqësore", tha ai.

Banorët armenë të fshatit Sotk, pranë kufirit me Azerbajxhanin, u thanë gazetarëve se shtëpitë e tyre u bombarduan nga ushtria azerbajxhanase.

Të martën, zoti Blinken tha se kishte folur me udhëheqësit e të dyja vendeve.

“Fola me të dy udhëheqësit, u bëra thirrje atyre të bëjnë gjithçka që është e mundur për t'u tërhequr nga çdo konflikt dhe për t'u rikthyer në bisedimet për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme midis vendeve të tyre”, tha Sekretari Blinken.

Ministria armene e Mbrojtjes publikoi një video të martën që thotë se tregon forcat e Azerbajxhanit duke avancuar në territorin e saj. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se është i befasuar me këtë rritje të armiqësive, duke marrë parasysh negociatat që po vazhdonin.

“Dhe tani, papritur, ne jemi në mes të asaj që unë e konsideroj si një hap të madh prapa në atë proces. Mua më duket sikur jemi në nëntor të vitit 2020, kur shpërtheu lufta 44-ditore”, thotë Richard Kauzlarich, ish ambassador i Shteteve të Bashkuara në Azerbajxhan.

Në fund të muajit të kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit publikoi gjithashtu imazhe të njësive të ushtrisë të dislokuara në qytetin strategjik të Lahinit në rajonin e debatueshëm të Nagorno-Karabakut. Gjatë luftës së vitit 2020, Azerbajxhani rimori pjesë të mëdha të Nagorno-Karabakut.

Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni dhe në të kaluarën është parë si një aleat i Jerevanit dhe një ndërmjetës kryesor në konfliktet në rajon.

Por ekspertët thonë se tani që Rusia është e përfshirë në sulmin ndaj Ukrainës, nuk është e qartë se çfarë roli do të luajë Moska në këtë konflikt.

XS
SM
MD
LG